2 javë përpara fundit, situata në shtëpinë e Laçit është bërë alarmante, ku ekipi nuk zbret në stërvitje, kjo pasi mes drejtuesve të klubit dhe stafit teknik ka pasur një përplasje të fortë, madje nuk kanë munguar debatet dhe tonet e larta. Kjo është një situatë e paprecedentë, e cila ndikon jashtëzakonisht shumë tek ekipi në një moment shumë të rëndësishëm të sezonit.
Situata është renduar shumë pas humbjes së fundit, asaj kundër Teutës, dhe që nga ajo sfidë e së shtunës, lojtarët nuk janë stërvitur në asnjë moment. Çuditërisht, për të bërë publik këtë lajm ka menduar vetë klubi i Laçit me anë të një reagimi për mediat, duke shtuar se këtë të martë do të zhvillohet një mbledhje urgjente me lojtarët dhe stafit ku priten pezullime dhe ndëshkime të rënda. Në Ne reagimin për mediat, klubi i Laçit shton se kjo mbledhje do të zhvillohet me dyer të mbyllura.

Kujtojmë që dy javë përpara fundit të sezonit të rregullt, Laçi ndodhet në vendin e fundit të tabelës, ndërsa të shtunën do të përballet me Dinamon.