Policia greke ka sekuestruar një sasi të madhe droge sot në orët e para të mëngjesit në rrugën “Egnatia” ne afërsi të Igumenicës.
Operacioni është zhvilluar nga policia kufitare e filatit në bashkëpunim me sektorin e luftës kundër narkotikëve të policisë së Igumenicës.
Policia greke ka ndaluar një automjet taksi dhe ka zbuluar brenda saj, ne bagazh dhe sediljet e pasme, 72 pako që përmbanin 81 kg 704 gram marijuanë.
Në prangat e policisë kanë rënë drejtuesi i mjetit, shtetasi grek Mikhail Angjelo 52 vjeç nga Artemida e Athinës dhe pasagjeri, shtetasi shqiptar Kosta Beqo 54 vjeç nga fshati Çukë i Sarandës.
Ky i fundit rezultonte person në kërkim në Greqi, pasi në vitin 2018 kishte marrë leje nga burgu i Stavrakiou ku prej dy vitesh vuante dënim për çështje droge dhe nuk ishte kthyer më. Policia greke u sekuestroi të dyshuarve edhe 4370 euro.
Për rastin në fjalë, po zhvillon hetime intensive edhe Komisariati i Policisë Kufitare Sarandë, i cili është informuar nga homologët grekë. Ndërkohë ende nuk ka informacione nëse droga ka kaluar nga kufiri shqiptaro-grek.