Policia e Durrësit ka arrestuar një 32-vjeçare nga Tirana, e cila ishte kthyer në makthin e pushuesve.


Në pranga ka rënë shtetasja G. L., e cila hynte në banesat e pushuesve dhe iu merrte sende me vlerë. Nga hetimet, policia ka arritur të zbardhë dy vjedhje me protagoniste 32-vjeçaren, si dhe dy raste të tjera të mbetura në tentativë.


Njoftimi i policisë:


Specialistët për Krimet në Stacionin e Policisë Plazh, në kuadër të rritjes së sigurisë së qytetarëve dhe pushuesve gjatë sezonit turistik, kanë bërë të mundur arrestimin e një shtetaseje, e cila hynte në banesat e pushuesve dhe i merrte sende me vlerë.

Është vënë në pranga shtetasja G.L., 32 vjeçe, banuese në Tiranë.

Nga veprimet hetimore të kryera dyshohet se shtetasja e mësipërme është autore e 2 vjedhjeve dhe e 2 rasteve të tjera të tentativës për vjedhje, konkretisht:

• Më datë 25.08.2019, në lagjen Nr.13, dyshohet se ka hyrë në banesën e shtetases M.B. dhe ka marrë një çantë, në të cilën kishte dokumente personale dhe vlera monetare.

• Më datë 25.08.2019, në lagjen Nr.13, dyshohet se ka tentuar të vjedhë banesën e shtetasit A.D.

• Më datë 26.08.2019, në lagjen Nr.13, dyshohet se është futur në banesën e shtetasit L. A., banues në Kosovë dhe i ka marrë çantën e dorës.

• Më datë 26.08.2019, në lagjen Nr.13, dyshohet se është futur në banesën e shtetases L. B. dhe ka tentuar të marrë çelësat e banesës.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Vjedhja”.

(d.ç./BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: