PRESHEVE- Rreth 1 ton drogë është sekuestruar në pikën kufitare Serbi-Fyrom, në Preshevë, që dyshohet se vinte nga Shqipëria. Aksioni është zhvilluar mbrëmjen e djeshme, ndërsa kanë qenë efektivët e pikës kufitare që rreth orës 23:00 me ndihmën e një skaneri të lëvizshëm, kanë zbuluar lëndën narkotike.

Agjencia e lajmeve “Presheva Jonë”, bën të ditur se droga e llojit marijuanë u zbulua në një kamion grek, ndërsa për policinë e Preshevës sasia e kapur përbën një rekord. Mësohet se marijuana ishte e fshehur në dyshemenë e një kamioni frigorifer, ndërsa policia serbe ka arrestuar në flagrancë shtetasin grek me iniciale M.G., 49 vjeç si dhe shoferi i kamionit i cili po udhëtonte me destinacionin Greqi-Kroaci.

Ndërkohë përsa i përket origjinës së drogës, mediat serbe kanë shkruar se shoferi grek ka deklaruar për policinë se nuk e dinte çfarë kishte kamioni, pasi rimorkioja e mjetit kishte qëndruar për 10 ditë në Shqipëri, ku kishte qëndruar edhe ai. Më pas shoferi grek kishte marrë 10 mijë euro mall me kamion për ta transportuar në drejtim të Kroacisë.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb