Një nga lojtarët që e ka rritur ndjeshëm nivelin në javët e fundit të kampionatit është Bruno Dita. Kapiteni i Dinamos, tashmë i fiksuar në qendër të mbrojtjes, bashkë me Alijin, është shfaqur në versionin e një lideri, për të cilin çdo skuadër ka nevojë.
Dita, falë eksperiencës së tij të gjatë, ka ditur të organizojë skuadrën, duke orientuar dhe karikuar shokët veçanërisht në momente delikate të ndeshjeve. Trajneri Daja e njeh shumë mirë, pasi e ka stërvitur dhe më parë këtë futbollist. Kundër Egnatias 31-vjeçari ishte ndër më të irët në fushë, duke larguar vazhdimisht topa të rrezikshëm në zonën e Dinamos.
Me Naser Alijin, edhe ky me shumë eksperiencë, merren vesh shumë mirë, edhe pse asnjëri prej tyre nuk është qendërmbrojtës natyral. Dinamo më në fund duket se e ka gjetur liderin, apo trajnerin e fushës siç thuhet në futboll, ndërkohë që gjithë skuadra është një ansambël që funksionon shumë mirë.