Kapiteni i Partizanit, shqiptari nga Shkupi Nderim Nexhipi, është idhulli i tifozërisë së kuqe dhe ka në dorë mundësinë që të hyjë në histori, teksa mund të bëhet kapiteni i parë që nga viti 1993 që ngre lart trofeun e kampionit. Por më parë duhet kaluar pengesa e vështirë e Korçës, ku të kuqtë do të ndeshen me Skënderbeun, kampionen në fuqi. “Kemi hyrë në një fazë të kampionatit ku çdo ndeshje është vendimtare për titullin kampion. Luajmë përballë kampionëve në fuqi. Është një sfidë e vështirë, por nuk vendos çdo gjë. Sigurisht, një humbje e bën më të vështirë rrugën drejt titullit kampion, por në Korçë shkojmë për fitoren e radhës”, deklaron kapiteni Nexhipi. “Në çdo ndeshje do japim maksimumin tonë duke dhënë shpirtin në fushën e lojës. Ndaj çdo kundërshtari vlerësimi është maksimal. Jam shumë i lumtur që jam pjesë e një ekipi të madh si Partizani dhe sigurisht dëshira ime është të qëndroj dhe të shpallem kampion me këtë fanellë”, thotë ai, ndërsa nuk e fsheh aspak dëshirën që në fund të sezonit t’u rikthejë tifozëve kënaqësinë e titullit kampion.

(d.d/j.s/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb