Gazetari Erald Kapri tha se nëse do të pyetej Beleri se kë do të zgjidhte Himarën apo Parlamentin Europian, atëherë do të zgjidhte pikërisht pozicionin e Kryebashkiakut të Himarës.

“Beleri do të presë vendimin e Apelit, nëse merr pafajësinë në këtë Gjykatë, atëherë ai mund të zgjedhë mes postit të kryebashkiakut dhe europarlamentarit. Mendoj se do të zgjidhte pozicionin e Kryetarit të Bashkisë së Himarës, pasi edhe eurodeputet u votua nga grekët si kryebashkiak i burgosur i Himarës”, tha Kapri në emisionin “Open” në News24.

Ai u shpreh se Bashkimi Europian ka mbajtur një qëndrim lidhur me çështjen Beleri duke u shprehur se do të presin fjalën e drejtësisë. Sipas tij, nisur nga ky qëndrim, nuk besonte se BE do të kishte tjetër reagim ndaj Belerit, meqë ai është zgjedhur europarlamentar.

Ai tha se Edi Rama i krijoi shansin e jetës Fredi Belerit duke e kthyer në hero. “Beleri pëlqehet shumë nga ekstremi i djathtë në Greqi dhe Kryeministri grek përfitoi nga kjo, duke e vendosur në listën e eurodeputetëve”, tha Kapri, duke shtuar se ai u kthye në një hero nga qytetarët grekë, pasi u shfaq si viktimë e një Kryeministri në Shqipëri.

Kapri tha se ndjehet i shqetësuar nga fakti se ai flet për vjedhjen e pronave greke në Himarë, ndërkohë që atje vidhen pronat e të gjithëve dhe s’ka lidhje me pronat e grekëve, sikundër shprehet apo e trajton Fredi Beleri.

“Personazhin Fredi Beleri në PE e kemi peshqesh nga Edi Rama”, tha Kapri.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: