TIRANË – Ministri i Mjedisit Lefter Koka ka vënë alarmin sot në Kuvend për gjendjen e pyjeve në Shqipëri dhe nevojën e menjëhershme të një ligji të ri, të një moratoriumi dhjetëvjeçar që të ndalë prerjet.

I thirrur në interpelancë për gjendjen e rëndë të pyjeve në Shqipëri nga deputeti Piro Kaporani, Koka ka theksuar se që nga vitet ’90, pyjet janë dëmtuar shumë.

“Duke njohur historikun e pyjeve shqiptare, që pas mbarimit të luftës së dytë botërore që nga 1944 deri në vitet 1990 pyjet shqiptare kanë qenë sektori që kanë ndikuar shumë në ekonominë e vendit. Dhe përgjatë këtyre viteve ka patur një zhvillim jo të qëndrueshëm ku ka patur respektivisht, 2 milion e 500 mijë metra kub dru shkonin për konsum, industri, ngrohje e shumë element të tjerë dhe prodhimi natyrshëm ishte 1.3 milion metra kub dru. Pra në shumë vite u shkrua ky disproporcion dhe u trashëgua edhe në vitet 90 ku fatkeqësisht dhe pyjet u panë si bashkëpunëtorë të sistemit komunist dhe për fat keq pati një pasojë shumë të rëndë.

U vijua më pas edhe në vitin 1997 ku pati djegie masive dhe për pasojë ne vazhdojmë të trashëgojmë një sipërfaqe për rreth 40 mijë hektar pyje të djegura ose të prera në mënyrë barbare, që kanë nevojë për ripyllëzim. Pra, është i pamundur riaktivizimi në mënyrë të natyrshëm i këtyre pyjeve”, u shpreh Ministri.

“Sot fotografia sipas regjistrit kombëtar të pyjeve është kjo: ka rreth 785 mijë hektar pyje, ndërsa 258 mijë hektar janë shkurre dhe kullota bujqësore me bimësi pyjore. Pra, totali janë 1 milion e 43 hektar pyje dhe rreth 500 mijë hektar shkurre. Duhet të theksojmë se rreth 224 mijë hektar janë pyje mbrojtës të cilat përdoren kryesisht përgjatë shtretërve të lumenjve dhe maleve të thepisura. Dhe 561 mijë hektar janë pyje prodhues. Ç’ka do të thotë se në këto 561 mijë hektar pyje prodhues ne kemi rreth 150 mijë hektar sipërfaqe të zonave të mbrojtura, ku relativisht në 90% të tyre janë të mbrojtura shumë mirë. Brenda këtij 150 hektarëshi është edhe 3% e pyjeve të vjetra. Ne kemi si objektiv se nga 15.3% e sipërfaqes totale të gjelbërt në Shqipëri të mbërrijmë në 17.3%, pra 2 % më shumë në zonat e mbrojtura”,- tha ministri Koka.

(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb