Studiuesit kanë vënë se shimpanzetë zhvillojnë një luftë të ashpër për dominim të bashkësisë, përjetojnë hera herës edhe përmbysje të hierarkisë, ku lideri i ri më shumë se për madhësinë shquhet për ngjitjen drejt pushtetit përmes manovrave frikësuese, mashtruese dhe shkëmbimi favoresh, duke krijuar një aleancë të re drejtuese. Liderat e tyre (meshkujt alfa) ‘zgjedhin të parët ushqimin, vendin e banimit dhe çiftëzohen me kë dëshirojnë’, sfidohen dhe përfshihen në përplasje të dhunshme për pushtet, ku mund të ketë edhe viktima (Dean Williams, Real Leadership, 2005). Megjithëse thuhet se jemi shkëputur prej miliona vjetësh prej preardhjes tonë të përbashkët, duket se tek shumë udhëheqës të kohës tonë ekziston një ngjashmëri mendësie me shimpazetë në qasjen ndaj pushtetit. Klane të fuqishme dominojnë sot pjesën më madhe të shoqërive.
Karakteri i dobët i ngjitjes mbas pushtetit
Sipas raportit të Freedom House 2022, 8 nga 10 njerëz në botë (afro 6.5 nga 8 miliardë) jetojnë në shoqëri pjesërisht të lira apo jo të lira, ku ‘liderët jodemokratë dhe mbështetësit e tyre kanë manipuluar sistemet politike duke u shërbyer vetëm bazës së tyre zgjedhore dhe duke shpërfillur interesat e pjesës tjetër të popullsisë’. Edhe vendi ynë nuk mund t’i ikte këtij tundimi për të përçuar në një formë a tjetër reflekset primitive të një kohe të largët. Dënimet e një sërë drejtuesish të lartë kanë treguar a posteriori se pushteti jo pak herë paska rënë në dorë individësh dhe grupesh kriminale, të maskuar nën kostumet dhe kollarot e shtetarëve. Kjo situatë duhet të na ndërgjegjësojë për t’i dalluar keqbërësit potencialë përpara se t’i lëmë të operojnë mbi publiken. Mënyra më e mirë është përzgjedhja e karaktereve të fortë dhe largimi nga lidershipi e njerëzve me karakter të dobët. Nuk ka qënë kurrë i lehtë dallimi i tyre, se mungesa e virtytit dhe moralit është kompensuar nga akumulimi i forcës dhe transaksioni i interesave, mungesa e karakterit është mbuluar nga pamja, fjala dhe stili, si dhe në fund të gjitha pamjaftueshmëritë e cilësive janë tejkaluar nga ushtrimi i paskrupullt i pushtetit. Ngado shikon prijës që ngulen dhe nuk shkulen nga froni, që në mënyrë tinzare u përvetësojnë popujve të drejtat për vetqeverisje demokratike.
Në një vend jo të lirë si Rusia, Vladimir Putin-i e nisi karrierën si kryeministër në vitin 1999, vijoi 8 vite me mandate presidenciale, u rikthye si kryeministër, ndryshoi dy herë kushtetutën për t’i mundësuar vetes 4 mandate të tjera 6 vjeçare në presidencë deri në vitin 2036. Më pas mund t’i vijë në ndihmë zgjidhja kineze e Xi Jinping udhëheqësi i trefishtë – i shtetit, partisë dhe ushtrisë, i cili me ardhjen në pushtet ndërmori disa modifikime kushtetuese si ai i vitit 2018 ku eleminohej kufizimi prej dy mandatesh 5 vjeçare i presidentit, duke i dhënë mundësi vetes të rrijë në krye përjetë si në parti edhe shtet. Të dy funksionet nuk njohin më kufizim. Përpos kësaj, “Komiteti Qendror i Partisë Komuniste Kineze propozoi që ‘Mendimet e Xi Jinping mbi socializmin me karakteristika kineze për një epokë të re’ të përfshiheshin në ligjin themeltar të vendit, për të pasur një influencë të krahasueshme me atë të Mao-s.
Ç’mund të thuash për karakterin e tyre si lidera. Po për ata në vende pjesërisht të lira si i yni, që përdorin gënjeshtrën me dashamirësi për të marrë pushtetin e më pas për të mbërthyer vendin, fitojnë zgjedhjet përmes një përzierje humori dhe trukimi, shpërndajnë të mirat publike tek sipërmarrësit e oborrësisë së tyre, të cilët ua rikthejne nderet përmes parave nën dorë apo financimit të fushatave, blerjes së njerëzve publikë pa ndërgjegje civile, që nga ana e tyre kurojnë imazhin e mediokritetit duke u dhënë atyre pamjen e prijësve të sukseshëm? Jo pak syresh mendojnë se suksesi, pavarësisht mënyrës, konsiderohet zotësi. Në fakt krijimi i një sistemi kontrollues ku njerëzit me peshë sociale joshen dhe futen në borxh përmes mundësive, ku klani vëzhgon ecurinë e çdo njeriu dhe ku izolohet apo diskreditohet çdokush jashtë këtij rrjeti të kontrolluar nga i pari i partisë, provincës apo i vendit, nuk është tipar i liderit autentik. Karakteri i dobët i kësaj tipologjie lidershipi në krye të pushtetit qëndron në themel të të drejtave të mohuara të shumicës së njerëzve në nivel global dhe prapambetjes së shoqërive.
Kur i pazoti kap dhunshëm e me dredhi fronin dhe në vend të ndershmërisë imponon padrejtësitë, në vend të lirisë sociale zgjedh varësinë dhe përndjekjen e njerëzve, vendin e kaplon regresi. Në kontekstin jo demokratik nuk vlen as vota për të dëshmuar legjitimitetin. Jo në pak raste në histori regjimet autokratike janë vendosur dhe mbajtur me vota, por të dhëna nga njerëz të kapur, të frikësuar dhe pa ndërgjegje qytetare e politike kanë prodhuar transformime të dëmshme për jetën e komuniteteve.
Ndonëse nga ana formale edhe ndryshimet kushtetuese në Rusi për t’i dhënë mandate të reja presidenciale Putin-it, respektojnë procedurat formale duke marrë mbështetjen e parlamentit federal dhe të 85 parlamenteve rajonale me një mbështetje thuajse unanime, në një vend jo të lirë vihet në dyshim vullneti real i shoqërisë dhe legjitimiteti i regjimit në fuqi. Demokraci do të thotë drejtimi i jetës sociale dhe politike sipas vullnetit të lirë të një shumice të gjerë e të mirëinformuar të qytetarëve, që le hapësirë për të përfshirë sa të mundet edhe rrymat minoritare, për ta bërë gjithsecilin ta ndjejë ecurinë e vendit si ecurinë e tij. Në këtë kontekst çdo përpjekje e organizuar e një pjese të vogël dhe të pushtetshme për ta përvetësuar këtë rrugëtim përbën pengmarrje të shumicës dhe minim deri në eleminim të demokracisë, mangësi në karakterin e lidershipit në fuqi.
Karakteri i fortë i fuqizimit të shoqërisë
Kuptohet që ekziston edhe një nivel më i lartë i lidershipit të qenies njerëzore ku shquhet përgjegjësia e ndërgjegjshme ndaj evolucionit dhe interesit të përgjithshëm të bashkësisë. Lideri autentik ka karakter dhe shkon përtej instikteve të mbijetesës dhe të dominimit të shfaqura edhe tek gjitarët e tjerë. Karakteri, ky kod subjektiv i normave dhe vlerave morale të njeriut, të përftuara përgjatë përvojave unike të jetës, nga traditat familjare dhe komunitare, nga formimi, angazhimet dhe reflektimet mbi botën në të cilën jeton, i përcakton atij hapësirën e veprimeve dhe të sjelljes në kohë të paqta e të turbullta, duke ndikuar tek profili publik dhe impakti me dobi shoqërore. Për çdo njeri, veçanërisht për liderin kjo ka rëndësi. Pavarësisht se bota dominohet nga sundues, që tjetërsojnë vullnetin e shumicave dhe e përdorin pushtetin sipas dëshirës, lideri i vërtetë është në kërkim të përsosmërisë dhe gjetjes së një kulture drejtuese që garanton mundësitë për zhvillimin çdo individi të shoqërisë. Lideri që ia nënshtron ambicien parimeve morale dhe vë veten në shërbim të komunitetit tregon qënësi karakteri, ndryshe prej atij që ambicia ia nënshtron ndërgjegjen për të përdorur komunitetin në funksion të egos personale dhe interesave klanore a partiake.
Pothuajse çdo autor serioz që është marrë me lidershipin ka nënvizuar aspektet morale dhe të kodit karakterial të drejtuesve si pjesë thelbësore të liderit autentik. Warren Bennis dhe Burt Nanus e shohin liderin si përgjegjës për normat dhe etikën në sjelljen e njerëzve, Dean Williams si shembull, mbrojtës dhe promovues i vlerave, ndjekës i së vërtetës me entuaziazëm, Bill George dhe të tjerë si praktikues i vlerave të konsoliduara dhe kur është nën presion, James Mac Gregor, jo vetëm si plotësues nevojash, por edhe lartësues moral i grupit, Ronald Haifetz si i udhëhequr nga vlerat, Robert Coles si frymëzues dhe kontribues në fibrën morale të kombit.
Këto nuk janë vetëm reflektime të studiuesve të fushës, por i gjejmë të mishëruara në jetët e shumë liderave përgjatë historisë. Tregon forcë karakteri kur nuk lufton për t’i gjetur vetes një fron solid në krye të shtetit, por e shfrytëzon mundësinë për të krijuar një sistem konstitucional që pushteti mos mbërthehet nga një njeri apo klan, por t’i përkasi gjithnjë shoqërisë, sikurse ishte rasti i George Washington-it. Tregon forcë karakteri kur çmon më së shumti gjykimin e atyre që të kanë zgjedhur dhe e kthen ushtrimin e lidershipit si mjet për të jetësuar vullnetin e shoqërisë, sikurse drejtoi Abraham Lincoln-i. Tregon forcë karakteri kur pozitat publike dhe mandatin e përfaqësimit nuk i shfrytëzon për të siguruar një vend në sferat e establishmentit, por hap dyert e mbrojtjes së interesave për njerëzit e dobët dhe të vuajtur të vendit, sikurse ishte rasti i Robert Kennedy-t. Tregon forcë karakteri kur nuk të ndryshon froni dhe pushteti, por ruan fytyrën njerëzore dhe kthehesh në predikues moral të politikës, sikurse ishte Vaclav Havel-i. Tregon forcë karakteri kur i reziston regjimeve represive dhe nuk u kthehesh në të njëjtën mënyrë agresive armiqve dhe kundërshtarëve kur ke fuqinë, por ndjek me këmbëngulje e në mënyrë paqësore misionin dhe modelin e integritetit, sikurse ishte rasti i Ibrahim Rugovës.
Të udhëhiqemi nga lidershipi autentik
Dallimin midis liderëve e bën karakteri, nga i cili buron ndjenja e përgjegjësisë, virtyti i besnikërisë ndaj shoqërisë dhe interesit publik. Autenticiteti i këtij tip lideri duhet mbështetur. Duhet dalluar a priori i vërteti, me ekuilibrin e mendjes dhe të veprimeve, në sinqeritetin e fjalëve dhe realizimeve, në ambicien e jetës për t’i shërbyer komunitetit jo egoizmit të sëmurë për pushtetin e vetes, në një operim përmes të ndershmes dhe të drejtës, përpjekjeve paqësore dhe një lidershipi që u mundëson të gjithëve rritjen, pjesëmarrjen dhe suksesin. Njeriut pa karakter nuk i duhet dhënë asnjë mundësi për pushtet. Nëse ngatërrojmë qeverisjen me njerëzit e gabuar do kemi rrugë të gjatë e të mundimshne për të shpëtuar.
(BalkanWeb)