Autoriteti i Konkurrencës nuk ndikon çmimet e tregut të karburanteve, por mund të bëjë transparencë dhe nëse më pas evidentohen shkelje, merr masa administrative. Kështu deklaroi mbrëmjen e sotme në emisionin “Frontline” në News24, eksperti i energjisë Dael Dervishi, drejtor ekzekutiv i Universitetit Luarasi.
Ai tha më tej se Autoriteti i Konkurrencës duhet të shohë nëse një ose dy kompani gjenden në pozita dominuese.
“Autoriteti i Konkurrencës ka nisur një hetim të thelluar për ndryshimet e çmimeve në sektorin e hidrokarbureve. Autoriteti i Konkurrencës nuk mund të ndikojë tek çmimet, i vendos tregu. Dhe Autoriteti i Konkurrencës do të bëjë një manovër të ngjashme si qeveria, për të parë nëse ka kompani dominuese që vendosin për çmimet në treg. Shpresojmë të funksionojë. Së paku të bëjë një transparencë në sy të opinionit publik. Diskutohet shumë mbi abuzimet, mund të kemi të drejtë apo jo vetëm Autoriteti i Konkurrencës mund të bëjë transparencë. Fillohet nga bërja e transparencës dhe pastaj nëse ka shkelje të rregullave të lojës do të marrë masat e duhur. Autoriteti i Konkurrencës ka nën përgjegjësinë e tij të vendosë masa administrative, gjoba tepër të majme. Nëse do të vërë re se ka shkelje të rregullave është i detyruar të marrë masa.
Pjesa e karburantit që shkon për prodhime teknologjike është e pa tatuar. Dhe këtu duhet të ketë transparencë sepse nganjëherë nafta hyn në vendin tonë për t’u përdorur për arsye teknologjike, industriale dhe pastaj mundet të kalojë në pompat e karburantit. Por kjo naftë nuk tatohet dhe kur shitet mund të sjellë kontrabandë”, tha Dervishi.
I pyetur nëse ka besim se mund të arrihet diçka, eksperti tha se luhatja e çmimit në Shqipëri ka qenë në mënyrë të disproporcionuar me çmimet e bursës dhe sigurisht që këtu ka diçka.
“Autoriteti i Konkurrencës nuk ka për detyrë të ndikojë në çmimet, nuk mund të vendosë çmimet e tregut, ato i vendos tregu në mënyrë të pavarur. Autoriteti i Konkurrencës duhet të shohë nëse një ose dy kompani gjenden në pozita dominuese.
Luhatja e çmimit në Shqipëri ka qenë në mënyrë të disproporcionuar me çmimet e bursës. Sigurisht që ka diçka. Dhe lëvizja e kryeministrit si duket këtë synon.
Falë protestave qeveria u ul të diskutojë dhe të marrë një masë që të rregullohet çmimi i naftës”, tha ai.
Lidhur me masat që duhet të marrë qeveria dhe duke kujtuar deklaratat e Presidentit të Republikës Ilir Meta, Dervishi tha se në vendet e rajonit ka pasur reflektim, ndërsa në Shqipëri u desh protesta që qeveria të merrte masa.
“Të gjitha vendet e rajonit kanë reflektuar disi krizën. Vendi jonë nuk po e reflektonte këtë krizë dhe u deshën protestat që qeveri atë shihte çfarë masash mund të merrte. Kemi parë disa protesta në disa vende kundër luftës, jo që qeveria të marrë masa. Këtu në Shqipëri u desh që njerëzit të dilnin të protestonin, t’i bënin thirrje qeverisë dhe me sa duket ka dhënë efekt sepse qeveria po shiko se çfarë modeli ekonomik duhet të ndjekë.
Qeveria e ka ndjekur këshillën e Presidentit me sa duket se po shikon se çfarë masash duhet të marrë.
Në Shqipëri ne e dimë se shumë familje mezi arrijnë deri në fund të muajit, shto këtu rritjen galoponte të çmimeve, kështu që patjetër do ishte e nevojshme të ndiqej këshilla e Presidentit, se çfarë masash mund të merren për të ndihmuar ato familje, të cilat nuk arrijnë dot. Këshillë e vyer dhe kjo. Rëndësi ka që një prej këshillave të Presidentit u ndoq. Kryeministri e shpalli sot. Shpresoj që ai nuk e shpalli se u ndje nën presionin e protestave”, deklaroi Dervishi.
Duke folur më tej për eksportet e grurit, ku Rusia ka peshën më të madhe në importin shqiptar, Dervishi tha se duhet të shihen kanale të tjera.
“Rusia është treg i mbyllur tashmë, për të gjithë pjesën perëndimore, sidomos në importin e grurit. Serbia që është e dyta deklaroi që nuk do të eksportojë më grurin e saj, ata po mendojnë se si të mbushin hambarët. Mbeten vendet e tjera. Hiq edhe 3% të Ukrainës nga lista. Vendi duhet të gjejë kanale të tjera për importin e grurit.
Rusia mund ta çojë grurin në vende të tjera dhe ato vende mund të eksportojnë grurin e tyre, do përdoren kanale të tjera dhe shpresojmë që çmimi i grurit të stabilizohet.
Produktet e energjisë ndikojnë të gjithë sektorët e ekonomisë, prodhimin, transportin. Lëvizja e kostos së transportit sa ndikon në zinxhirin ekonomik, shto fabrikat që kanë nevojë për energji”, tha ai.
Sa i përket mundësisë për mospasjen e rezervave me karburante, Dervishi deklaroi se tregtuesit janë të detyruar të mbajnë rezervë. “Tregtuesit e naftës me ligj duhet të mbajnë naftë për 90 ditë. Duhet të jemi të garantuar. Janë autoritetet shtetërore që e kontrollojnë këtë rezervë, sa efektive është”, tha ai.
Në emision u diskutua dhe reagimi i shoqatës së transportit urban në kryeqytet që ka përgjysmuar flotën e mjeteve dhe ka kërkuar rritjen e çmimit të biletës në 80 lekë.
“Edhe ata shqetësim kryesor ata kanë ndryshimi i çmimit të karburantit. Sa qëndron duhet një analizë shumë e kujdesshme. Nga autoritetet kontraktore për kushtet. Nuk mund ta themi këtu në qoftë se ka një shkelje të kushteve të kontratës. Shpresojmë që bashkia të bëjë detyrën dhe të vendosë para përgjegjësisë atë shoqëri transporti.
Qytetarët duan transparencë, duan ta kuptojnë arsyen pse përgjysmohet flota e autobusëve, shpresojmë të kemi transparencë që edhe qytetarët të jenë më të qetë.
Uroj që vetëm që ne të bëjmë një transparencë dhe qeveria të jetë me qartë me këtë manovër ekonomike që shpalli ditën e sotme që ta kuptojmë”, tha Dervishi.
Lidhur me energjinë, ai tha se është një sforco që qeveria që po bën. “E blen më një kosto shumë të lartë energjinë dhe e shet me një çmim të ulët. Dhe energjia ka një tendencë rritje.
Çdo deklaratë politike krijon nervozizëm nga ana e tregtarëve të energjisë. Pamë një rritje të menjëhershme të çmimit të energjisë, pasi Rusia tha se do të ulte sasinë.
Sigurisht që është për t’u përshëndetur çdo lëvizje që vjen në ndihmë të qytetarit. Është një manovër për të ndihmuar qytetarin. Ajo po trumbetohet, po përdoret si argument që ne nuk po prekim energjinë elektrike tek familjarët, por naftës s’kemi çfarë t’i bëjmë.
Unë do shpresoja që mos të rritej çmimi i energjisë. Në tregjet ndërkombëtare çmimi i energjisë nuk është stabël. Shpresojmë që në vendin tonë ta ruajmë dhe këtë çmim”, tha ai.
Dervishi shtoi se prodhimi i energjisë në vendin tonë ndodh nga burimet ujore, kështu që patjetër sytë nga qielli jemi të detyruar t’i mbajmë. “Qeveria ka bërë disa lëvizje për të diversifikuar burimet e energjisë. Ka projekte dhe ankande publike për ndërtimin e parqeve eolike. Janë duke lëvizur avash, qeveria duhet të kishte ecur më shpejt. Sigurisht sytë do t’i mbajmë nga natyra, por edhe nga Putini sepse është ai që po shkakton gjithë këtë turbullirë. Shpresojmë të ketë një reflektim nga Putin për tërheqjen nga Ukraina”, tha Dervishi.
(BalkanWeb)