TIRANE-Partia Demokratike përsëriti në një deklaratë të sotme se taksat e larta të qeverisë janë shkaktaret kryesore të cmimit të lartë të karburantit që po varfërojnë shqiptarët duke u rritur koston e jetesës. PD riparalajmëron se të hënën paradite në orën 11.00, nisi aksioni i parë qytetar në shenjë proteste ku për 5 minuta do të fiken makinat.

Deputetja Voltana Ademi u shpreh se qytetarët e vendit, janë sot të vendosur për të luftuar kundër tiranisë së çmimit të karburanteve.
“Nuk mund të pranohet që shqiptarët të jenë delja e zezë e Europës me cmimin më të lartë të naftës dhe benzinës në gjithë rajonin e në gjithë kontinetin, vetëm sepse kështu ka vendosur Edi Rama me taksat e tij”.
Ademi paraqiti një grafikë ku sipas skemës dëshmohet se taksat që merr qeveria në një litër naftë i cili është më i larti sot në Europë.
IMG_5339[1]

“Qeveria merr 1008 lekë taksa. Ndaj të hënën që po vjen, në orën 11.00 paradite, nis aksioni i parë popullor për të kundërshtuar këtë kurs të qeverisë që po varfëron cdo ditë qytetarët. Të hënën në orën 11.00, drejtuesit e mjeteve motorrike do të ndalin makinat e tyre për 5 minuta në shenjë proteste”, u shpreh Ademi.

Më tej deputetja renditi një sërë kategorish që po vuajnë më tepër nga kjo rritje.

“Fermerët protestojnë për çmimin e lartë dhe i kërkojnë llogari qeverisë se përse ata paguajnë 60% taksa në një litër karburant. Për këtë arsye produktet bujqësore sot janë më shtrenjte e qytetaret po vuajnë pasojat e ketyre cmimeve.
Bizneset, protestojnë sepse pasi qeveria i asfiksoi me lloj-lloj taksash, ka vendosur që t’i marrë dhe frymën e fundit duke e rritur me 240 lekë në dy vjet taksën e qarkullimit.
Qytetarët, dhe cdokush që ka një makinë, apo që po vuan sot koston e shtrenjtuar të jetesës për shkak të cmimit të naftës, proteston sot, pasi qeveria e lidhur me interesat e klientelës së saj të naftës, po refuzon të dëgjojë zërin e tyre”.

Edhe njëherë Ademi bën thirrje për protestë, ditën e hënë, ndërsa paralajmëron se ky aksion është vetëm fillimi i aksionit qytetar, i mbështetur nga PD.

“Shqiptarët do protestojnë të hënën paradite në orën 11.00, sepse paguajnë 10% të portofolit të tyre të përditshëm bruto për karburant, 5% më shumë se sa kroatët, 6% më shumë se sa Hungarezët, 7% më shumë se sa grekët. Ndonëse të ardhurat tona mesatare janë shumë herë më te ulëta se sa e këtyre vendeve, ne jemi kampionë, për sa i përket taksës që paguajmë. Shqiptarët do të protestojnë të hënën paradite në orën 11.00, sepse paguajnë më shtrenjtë cdo produkt vetëm si pasojë e rritjes se cmimit te karburantit. Dhe qeveria e Edi Ramës merr nga xhepat e qytetarëve cdo vit 56 milionë dollarë taksa vetëm nga nafta. Ky është vetëm fillimi i një aksion qytetar që duhet të vërë në lëvizje secilin prej nesh. Partia Demokratike do të jetë në krah të shqiptarëve dhe kauzës së tyre të drejtë, derisa qeveria të marrë masa për uljen e taksave dhe uljen e cmimit të karburanteve”.

REAGIMI I PS
Deputeti i PS-së Ervin Bushati në një reagim publik për çmimin e naftës , nisur edhe nga aksioni i opozitës për të protestuar pse çmimi nuk po ulet në Shqipëri, tha se PD në 8 vite qeverise e dyfishoi çmimin e naftçmimin e naftës.

“Për çmimin e naftës mund të flasë kushdo, përveç Partisë Demokratike. Partia Demokratike e gjeti çmimin e naftës 100 lekë për litër dhe pas tetë vjetësh në qeverisje e la çmimin e naftës 195 lekë për litër. Dyfish! Në tetë vjet Partia Demokratike nuk e pyeti njëherë të vetme veten se pse shqiptarët paskan paguar më shumë se të tjerët”, tha Bushati.

Sipas tij, “Në më pak se dy vjet, çmimi i naftës nga 195 lekë për litër, është sot 160 lekë për litër. Është ulur, mesatarisht 20% dhe ky është një fakt. Po ulet me të njëjtat ritme si kudo, jo për meritë të qeverisë, por sepse po ulet çmimi i naftës në tregjet botërore.
Ndaj, teksa çmimi i naftës po ulet e do të vazhdojë të ulet, Partia Demokratike është e fundit që duhet të flasë, pasi në tetë vjet qeverisje, ndryshe nga ne, çmimin e shtrenjtoi, nuk e uli”.

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: