Korça është qyteti ku është rritur, një qytet që s’kishte turp. Një qytet që të bënte të ëndërroje dhe ku ai ëndërroi. Edmond Budina, ngjitet në skenën e Teatrit Kombëtar, pas 30 vitesh dhe jep shfaqjen e jetës.

“U ktheva në shtëpinë time. Kur kthehesh në shtëpinë tënde pas shumë vitesh, kthehesh dhe e gjen atë më të bukur edhe se është e vjetër, por vjetërsia i ka dhënë shumë fisnikëri dhe unë fisnikërinë në këtë teatër e gjeta sonte, edhe se ishte një shfaqje e improvizuar ishte një shfaqje që më dha shumë kënaqësi. Të kthehesh pas 30 vitesh në shtëpinë tënde, është njësoj sikur të rilindësh”- u shpreh regjisori Budina për gazetaren e News24, Anxhela Devole.

Rrëfen fëmijërinë në Korçë, duke kujtuar sokakët e këtij qyteti e gratë me shami të zeza që i fshinin ato sokake, aty ku i lindi dëshira për të lexuar, ku shkonin në bibliotekë e merrnin libra, ndonjëherë edhe i vidhnin, kujtoi njerëzit që kanë lënë gjurmë në jetën e tij, përmendi emra artistësh të mëdhenj që e kanë frymëzuar, studimet në Institutin e Lartë të Arteve, rolin e parë, emërimin në Teatrin Kombëtar, largimin nga Shqipëria, jetën në Itali, punën në fabrikë për 20 vite.

Punonte në fabrikë, por ëndërronte njësoj si në vitin 1971 kur nisi studimet në Institutin e Lartë trë Artevë, kur ëndërronte të bëhej si Bekim Femiu. Miqtë e njohën me gazetarë e producentë. Budina i tregoi skenarin e filmit “Letra ere”, të cilin nuk ia kishin pëlqyer në Shqipëri, kur konkurroi në Qendrën Kombëtare Kinematografike.

Djaloshi që ëndërronte, që spikati me rolin e Plakut të vitit të ri 1964, që kish shkëlqyer në premierën e Luiza Miller, që bëri për vete Sandër Prosin e Prokop Mimën, që vuri në skenë “natën me hënë”, “ylli” i fabrikës, bëri që mediat italiane të shkruanin “Shqipëria magjike”, për filmin e Edmond Budinës.

“Gjithcka ia ka vlejtur, gjithcka në këtë botë është eksperiencë. Edhe vujatja edhe varfëria, gjithcka është eksperiencë. Sa më shumë eksperienca të kesh në këtë jetë, aq më shumë fisnikërohesh aq më i mirë bëhesh dhe aq më mirë di t’i shërbesh komunitetit. Unë besoj që me jetën që kam kaluar them që kjo ia vlen. Jam pjekur më shumë, natyrisht mbase mund të piqesha edhe pa vuajtur, po vuajtja ka pjesën e saj dhe është një pjesë shumë e bukur” – vijon më tej Budina.

Edmond Budina ia doli. Merrte leje në fabrikë, me tren udhëtonte për në Napoli, për t’u kthyer sërish në fabrikë. Ndërronte autobuzë, udhëtonte natën, mbërrinte në mëngjes.

I vetëm në skenë, i ulur në atë që e quajti karrigia e fajit, del nga skena, me në shpinë, atë që e quajti karrigia e fajit.

“Dhe unë kam një pjesë të fajit. Të gjithë kemi një pjesë të fajit, secili në të voglën e vet ka fajin e vet dhe ajo karrige e fajit më takon edhe mua, na takon të gjithëve. Unë nuk mund të mos jem, të them që unë s’kam faj fare për këtë vend. Edhe unë kam fajet e mija, prandaj e mora në kurriz. Mund të kisha bërë shumë më tepër për vendin tim. Mund të kisha bërë shumë më tepër. Për shembull unë unë nuk kam heshtur kur u prish kinostudio, mbase nuk duhet të kisha heshtur kur protestonin ata të Operas në kohën e tyre, ose kur ndodhnin gjëra këtu, nuk e kam ngritur zërin aq sa duhet. Mbase duhet ta ngrija shumë më tepër. Kam parë mbase edhe pjesën time, duke qenë me hallet e mia, me problemet e mia atje edhe nuk e kam vrarë shumë mendjen. Me kalimin e viteve pastaj, natyrisht jam rikthyer gradualisht në këtë të përditshme shqiptare dhe padyshim për atë pjesë që kam munguar kam pjesën time të fajit. Tani jam kthyer për të mbrojtur Teatrin por gjithësesi nuk shlyhet ajo pjesë e fajit meqë po mbroj Teatrin tani, ajo pjesë mbetet. Gjithcka që kemi bërë në jetë mbetet e mirë ose e keqe dhe unë atë pjesë e kam. Dua ose s’dua, kështu që kjo pjesë e fajit më mbetet edhe mua.” përfundon Budina.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb