Dritë në fund të tunelit, pa frikë e tillë mund të konsiderohet situata që po kalon Paul Pogba. Në momentin e tij më të errët, kur po reflektonte edhe largimin nga futbolli, Gjykata e Arbitrazhit tw Sportit në Lozanë reduktoi në mënyrë drastike dënimin e mesfushorit francez.
Nga 4 vite pezullim, KAS e uli në 18 muaj dënimin e dhënë për Pogba-n, i cili më 29 shkurt të këtij viti u shpall fajtor për doping, për përdorimin e substancave të ndaluara. Në këtë mënyrë, Pogba mund të rikthehet të stërvitet me Juventus që në muajin janar të vitit të ardhshëm, ndërsa mund të zbres në fushë, të luajë ndeshje zyrtare që në mars:
“Po, mund të konfirmoj vendimin. Dënimi i Pogba-s është reduktuar në 18 muaj duke nisur nga 11 shtatori i 2023. Ai mund të rikthehet në fushë në mars të 2025”, u shpreh zëdhënësi për shtyp i KAS për AFP.
Nuk mungoi as reagimi i Pogna-s pas vendimit të marrë nga KAS: “Më në fund, makthi përfundoi. Mezi pres që të rikthehem sërish të ndjek ëndrrat e mia”, u shpreh Pogba në një reagim në rrjetet e tij sociale.
(BalkanWeb)