Kasem Hoxha është mësuar të jetë në ek ran, por në atë të madhin. Këtë fundvit ai vjen me një rol të ri, si prezantues i Festivalit të RTSH-së, përkrah Ledina Çelos. Në intervistën e mëposhtme, ai tregon se sapo ka përfunduar së xhiruari një film në Gjermani dhe rrëfen disa detaje nga jeta e tij personale.

– Si të erdhi ftesa për të prezantuar festivalin e fundvitit në RTSH, e pranove menjëherë? Nuk e pranova menjëherë, pasi nuk kam eksperiencë në fushën e moderimit dhe është një përgjegjësi shumë e madhe. Në Gjermani isha duke xhiruar një film xhirimet e të cilët u shtynë për pak më vonë. Më pëlqeu shumë komunikimi i drejtorit Rezart Aga, i cili me atë thjeshtësinë e tij më bindi që të isha pjesë e këtij projekti.

-Çfarë filmi po xhironi? Sapo i mbyllëm xhirimet me ‘RTL’-në, filmi quhet “Polici beqar” (qesh). Është një projekt pilot me këtë televizion që mendojmë ta bëjmë me shumë episode, por duam të shohim njëherë reagimin e publikut. -RTL është një televizion shumë i rëndësishëm. Ti e ndjen veten një personazh të njohur në Gjermani? Mund të them vetëm kaq, gjermanët kanë filluar ta kthejnë kokën nga personi im.

-Pra, je i famshëm atje. Si të bën të ndihesh ky fakt? Shumë mirë, më kënaq që njerëzit më takojnë apo më përshëndesin. Më pëlqen shumë që ata i pëlqejnë rolet e mia. -Paparacët të bezdisin? Nuk jam ende në këtë kategori njerëzish që të më ndjekin paparacët dhe mos të më lenë rehat të darkoj me miqtë e mi. (qesh).

-Pse nuk ke një profil në “Instagram”? “Instagram” nuk kam dhe s’do kem për një kohë të gjatë, sepse të merr shumë kohë dhe po e hape një të tillë, u detyrohesh fansave t’u tregosh shumë detaje nga puna dhe jeta jote. Unë për momentin jam i tërhequr nga mediat sociale. Postoj diçka më shumë në “Facebook” për projektet e mia, që nuk janë të shumta dhe s’më marrin shumë kohë.

-Cili është roli që të bëri të famshëm në kinematografinë gjermane? Janë disa role do të thosha, por më shumë të zhanrit “action”. Nuk e di pse, ndoshta më përshtaten nga fizionomia dhe kjo i ka tërhequr producentët. Një CV e tillë e pasur me këto role më bëri më të njohur.

-Si kanë qenë fillimet e tua në Gjermani. A ishte e vështirë për një shqiptar të integrohej në shoqërinë gjermane? Pa diskutim që po dhe për këtë më kuptojnë të gjithë shqiptarët, që kanë nisur një jetë të re në një vend të huaj. Duke nisur që ka gjërat më elementare, gjuha, si do mbijetoja, çfarë më priste, etj.

-A e kishe që atëherë dëshirën për t’u bërë aktor? Nuk kam shkuar me atë synim, ajo erdhi vetvetiu. Ishte një dëshirë e imja që duhej t’i jepja kohën e duhur.

-Si u bërë pjesë e kinematografisë? Fillimisht unë studioja për dramë dhe teatër. Gjatë kohës që isha student, u sëmur një aktor kryesor për një pjesë teatri dhe ai ishte i karakterit anglez, që unë i përshtatesha shumë. Një prej pedagogeve të mija bisedoi me drejtuesit e kësaj vepre për mua, duke më cilësuar si një nga nxënësit e saj më të talentuar dhe që i përshtatesha veprës. Problemi ishte që unë kisha vetëm dy javë kohë të përgatitesha dhe ia dola. Por nuk ishte vetëm shkolla, ajo që më plotësonte, unë gjatë kësaj kohe kam luajtur edhe në filma me metrazh të shkurtër, lëvizja nga një qytet në tjetrin, pra kam luftuar dhe punuar për të arritur këtu ku jam sot.

-Mendon që të ka ndihmuar pamja e jashtme, pasi je tepër i veçantë? Këtë gjë nuk e dija tek vetja ime, sepse qëndroja para pasqyrës dhe vetja më duket një njeri normal. Të tjerët e shohin nga një këndvështrim tjetër dhe mendojnë që ky është tipik për këtë rol apo për këtë karakter. Ky është një bonus që ta ofron ana natyrore dhe them që mund të ketë një “ndihmë” për mua.

-Ke pasur oferta për të luajtur në kinematografinë shqiptare? Ka shumë pak role në Shqipëri dhe kjo e zvogëlon mundësinë për të luajtur këtu. Plus që ka aktorë shumë të mirë shqiptarë, kështu që nuk ka pse të vij unë nga Gjermania tu marr atyre një rol (qesh). Kam pasur oferta dhe kam luajtur në kinematografinë shqiptare, psh., në filmin e Bujar Alimanit “Krom”, jemi në diskutim për të luajtur një tjetër film skenarin e të cilit e ka shkruar i ndjeri Minarolli, por nuk është ende asgjë zyrtare. Po presim…

-A ruan ti një marrëdhënie me kolegët shqiptar që po zhvillojnë karrierë në Gjermani. Flas për Nik Xhelilaj, Blerim Destani, etj.? Unë mundohem të mbaj kontakte, sepse është shumë e rëndësishme. Ne njëri-tjetrin kemi. Është edhe ndihmë dhe kënaqësi për ta ndihmuar njëri-tjetrin. Kemi dhe shumë evente në Gjermani, ku ne mblidhemi me njëri-tjetrin.

-Si është jeta jote veç aktrimit, je beqar, i lidhur? Këtu nuk do të jep asnjë koment (qesh).

-Është gjermane apo shqiptare? As gjermane, as shqiptare, nuk është fare… -Është aktore? Jo, nuk është akoma askush në jetën time…

-Si është një ditë e zakonshme e jotja? Nëse është një ditë filmi dihet që është shumë e ngarkuar dhe me shumë lëvizje, por në të njëjtën kohë edhe shumë e sistemuar. Ndërsa nëse është një ditë pa angazhime, mund të jetë ditë ‘shopping’-u, ose një ditë ku unë lexoj apo shkruaj.

-Shkruan letërsi, skenarë? Materiale për skenarë dhe mund të them që ka diçka pikante herë pas here. -E ke menduar ndonjëherë që mund të jesh mbrapa një filmi në rolin e një skenaristi apo producenti dhe jo si aktor? Pse jo… Kurrë mos thuaj kurrë…

-Sa vjeç është Kasem Hoxha? Jam 48 vjeç. -Nuk të mungon pjesa e familjes? Nuk e kam menduar, ajo është një gjë duhet ta ndjesh dhe le të vijë në momentin e duhur. -Nuk e tregon fare moshën mos ndoshta angazhimet e shumta kanë bërë që të mos vendosësh për të pasur një marrëdhënie? Edhe kjo është e vërtetë, sepse jam gjatë gjithë kohës në lëvizje. Nuk e kam akoma atë bazën për të ndarë sukseset apo qoftë edhe dështimet me dikë dhe po ta mendosh kështu normal që e vret pak mendjen. Por gjithçka vjen me kohë… (qesh)

-Familja nuk e kërkon një mbesë apo nip? Po normal që po, nëna ime mezi e pret këtë gjë, (qesh).

– Si e ke marrëdhënien me Tiranën? E kam shumë të mirë, unë kam lindur këtu dhe më merr shumë malli. Sa herë që vij, më duket vetja sikur jam larguar shumë dhe sikur gjërat ndryshojnë në mënyrë frenetike. -E ke luksin të vish shpesh në Tiranë? Nuk rri dot shumë gjatë dhe s’mund të vij dot shpesh në Tiranë për qejf. Më shumë më lidh puna.

-Ledina Çelon e njihje më parë? Ledinën e njihja nëpërmjet këngës dhe jam shumë i lumtur që e njoha këtu dhe që do ta kem partnere në prezantim. Ka një kimi mes nesh në prezantim dhe na bashkon edhe fakti që vijmë të dy nga Gjermania. Jam shumë i lumtur që do ta kem partnere në këtë eksperiencë time të re.

-E ke kompleks që ajo është shumë gjatë dhe ti pak më i shkurtër? Akoma s’e kam vënë re këtë gjë në skenë, por për momentin s’po me shqetëson ende ky fakt. (qesh)

-Do të kesh ndonjë numër special në festival? Është menduar që do të kem diçka që i përket pjesës artistike. Nuk dua të zbuloj më shumë.

-Si ka qenë marrëdhënia jote me festivalin kur ke qenë i vogël? Ne rrinim pa gjumë dhe mezi e prisnim këtë event më të rëndësishëm të vitit. I prisnim me shumë kënaqësi festat e fundvitit dhe festivalin.

-Ke patur një këngëtare të preferuar? Unë akoma kam në mendje këngën “Natë gusht e natë prush” të Parashqevi Simakut. Motrat Libohova, Vaçe Zela, Tonin Tërshana, Anita Bitri, ikonat e këngës shqiptare. -Në historinë e Festivalit do të jesh edhe ti si prezantues, si të bën të ndihesh ky fakt dhe a e kishe menduar që mund të ishe ti ndonjëherë prezantues i këtij eventi? Asnjëherë… Këto janë gjëra që i përkasin fatit. Unë jam shumë i nderuar dhe këtë e them shumë sinqerisht shpresoj që ta justifikoj gjithë këtë besim që ata njerëz presin nga mua. Do mundohem të jem unë në atë skenë, pa filtra e skenarë dhe këtë e them shumë sinqerisht. Shpresoj shumë që edhe publiku të kënaqet me mua.

(Gazeta Shqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: