Flamur Kastrati është sulmuesi anësor i Strymsgodset, i lindur dhe rritur në Oslo, por që e ka origjinën shqiptare, nga Kosova. Lojtari në fjalë ka provuar të luajë edhe me kombëtaren kosovare, ku ka qenë shok grupi me lojtarë të Partizanit. 23-vjeçari e di mirë se çfarë do të thotë të përballesh me një skuadër të futbollit shqiptar. “Do të jetë një betejë e vështirë. Ekipet e Ballkanit shpesh kanë lojtarë të mirë. Por për të qenë krejtësisht i sinqertë, unë nuk kam aq frikë prej tyre këtu në shtëpi. Sfida jonë më e ashpër do të jetë në kthim, në kryeqytetin shqiptar”, ka thënë Kastrati për faqen zyrtare të klubit norvegjez. Ai e ka informuar stafin teknik në stërvitje në lidhje me atë që di për Partizanin. Kastrati është i sigurt se shqiptarët tregojnë dy fytyra të ndryshme në këto ndeshje kualifikuese të “Europa League”. “Është një futboll në tranzicion, por kur luajnë në shtëpi, skuadrat shqiptare transformohen në diçka krejt tjetër. Ata do të bëjnë gjithçka me fuqinë e tyre për zvarritjen e lojës dhe kalimin e kohës, sepse synojnë të marrin një rezultat pozitiv në transfertë.

Dyluftimet do të jenë pak të ashpra, të çrregullta, edhe me bërryla, ndaj për këtë duhet të përgatitet secili prej nesh. Ne vetëm duhet të qëndrojmë të fokusuar në atë që mund të bëjmë, pa u marrë me asgjë tjetër”, shton Flamur Kastrati. Në bazë të fjalëve të tij, duhet marrë maksimumi në ndeshjen e parë, sepse vështirësia në kthim, pas një jave në Tiranë, do të jetë shumë herë më e madhe: “Ne duhet ta mundim Partizanin me diferencë të mirë golash në shtëpi. Kjo do të jetë e rëndësishme për të shkuar me një epërsi të pastër në ndeshjen e kthimit, më 9 korrik, në Tiranë”.

(d.d/j.s/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: