NGA KASTRIOT ISLAMI*
TIRANE
-Deputeti i opozitës, Kastriot Islami, në një shkrim të gjatë tek Panorama, duke shpjeguar se si duhet bërë dekriminalizimi, thotë se përveç nismave ligjore, duhet bërë test droge për politikanët dhe gazetarët.

Islami thotë se “Shqipëria është në një udhëkryq mes dekriminalizimit dhe mbretërimit të shtrirjes së oligarkisë”.

Deputeti demokrat thotë se ka dy rrugë për dekriminalizimin e politikës: rruga e butë, përmes hartimit dhe zbatimit të nismave dhe rruga e protestave dhe mosbindjes civile.

“Gjasat janë që ky proces të nisë sipas rrugës së parë, të vijojë si një kombinim i dy rrugëve dhe të përfundojë në rrugën e dytë,” shkruan ai.

***

Oligarkia përkufizohet si amalgamë e: i) politikanëve e zyrtarëve të lartë të korruptuar; ii) biznesmenëve të pasuruar nga “grabitja” e pasurive publike, përmes evazionit, korrupsionit e krimit të organizuar; iii) të “fortëve” me pasuri të dyshimta e rekorde kriminale dhe iv) përfaqësuesve të medias me aktivitet nga njëri apo kombinim i tri prej grupimeve të para. Shqipëria është një vend me qeverisje oligarkike, me peshë të lartë të kriminalitetit politik e banditizmit, tanimë e pranuar nga Parlamenti Europian (PE). Ndërkohë, Shqipëria bëhet vendi i parë i Ballkanit Perëndimor që me mbështetjen/ monitorimin e PE, arrin të formalizojë një projekt për dekriminalizimin e Kuvendit dhe të administratës publike. DEKRIMINALIZIMI duhet të bazohet në: 1) delegjitimimin e maxhorancës oligarke me 3/5; 2) zhvlerësimin e të gjitha vendimmarrjeve të miratuara deri tani me maxhorancën oligarke, veçanërisht ndarjen territoriale që shtrin oligarkinë në nivel rajonal dhe pengon zhvillimin e zgjedhjeve vendore të lira e të ndershme; 3) testin e drogës për politikanët; 4) hetime të të gjitha rasteve të dyshuara për rekorde kriminale në Kuvend dhe administratën publike e tjerë.
1. DEKRIMINALIZIMI NJË PROCES ME MBËSHTETJE EUROPIANE…
Opozita ka meritën që për 6 muaj në bojkot, në komunikim me qytetarët e partnerët ndërkombëtarë, këtë çështje ta kthejë në një çështje ndërkombëtare. Një çështje që ndoshta BE do ta kthejë në model për të luftuar e çrrënjosur “korrupsionin politik në formën e oligarkisë e të banditizmit” edhe në vende te tjera. Marrëveshja e 24 dhjetorit 2014 midis maxhorancës e opozitës, në frymë, përmbajtje dhe në çdo germë të saj i referohet procesit të dekriminalizimit të politikës. Sensibilizimi i kësaj çështjeje nga opozita shqiptare në Bruksel dhe disa vende të BE ka mjaftuar që PE të merret seriozisht me këtë shqetësim madhor, të ngritur fillimisht nga sekretari amerikan John Kerry në shkurt 2014 në Samitin e Sigurisë Globale në Mynih të Gjermanisë për vendet e Europës Qendrore e Lindore dhe të Ballkanit. Do të kishte qenë e pamundur që për çdo shqetësim tjetër të demokracisë në Shqipëri, të dyja grupet kryesore të PE, PPE dhe PSD, të bashkoheshin e të vepronin në unitet të plotë, në një kohë kur BE i duhet të përballet me sfida të brendshme, por mbi të gjitha i duhet të mbetet një aktore e rëndësishme në menaxhimin e një numri krizash globale. Në sajë të mbështetjes e angazhimit të eurodeputetëve të majtë e të djathtë, opozita ia arriti ta detyrojë Kuvendin t’i nënshtrohet një procesi të “lustrimit përmes DEKRIMINALIZIMIT”.

2. RREZIQET E KRIMINALIZIMIT TË POLITIKËS E TË BANDITIZMIT.
Angazhimi i PE tregon qartë rrezikun që ndiejnë vendet e BE ndaj Oligarkisë e Banditizmit që kanë arritur të kapin nivelet më të larta të politikës në shumë nga vendet ish-komuniste. Madje rasti i Ukrainës u ka treguar se si një vendi me regjim oligarkik e nivel të lartë të kriminalizimit të jetës politike mund t’i cenohen sovraniteti e integriteti, e madje të shndërrohet në një “shesh përplasjesh” me natyrë gjeopolitike. Opozita shqiptare ka përgjegjësinë për të realizuar me sukses çrrënjosjen e kësaj dukurie që ka vënë në rrezik proceset e demokratizimit e të integrimit të vendit. Qëndrimet nënvleftësuese apo shpërfillëse të maxhorancës do të ishin të rrezikshme nëse kërkohet që përmes maskimit/kamuflimit do të kërkohej të thellohej kjo dukuri apo të shtrihej në pushtetin vendor përmes aplikimit të ndarjes së re territoriale, që përbën një themel solid për kriminalizimin edhe të pushtetit vendor.

3. TRI ÇËSHTJET KRYESORE TË REZOLUTËS SË DEKRIMINALIZIMIT.

Përmes një Dokumenti Parimesh, eurodeputetët i kërkuan maxhorancës dhe opozitës të hartonin e miratonin një marrëveshje, e cila do të merrte forcë ligjore në formën e një Rezolute të Kuvendit. Rezoluta mbështetet mbi tri çështje: 1) rikthimin e opozitës në Kuvend e njëkohësisht “delegjitimimin e shumicës së cilësuar” dhe natyrisht të të gjitha pasojave të vendimmarrjeve me këtë maxhorancë ilegjitime; ii) respektimin e Kushtetutës e të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese e funksionimin efikas të komisioneve hetimore sipas praktikave ndërkombëtare dhe iii) angazhimin e përbashkët të maxhorancës e të opozitës për çështjen e dekriminalizimit të Kuvendit e të administratës. Kjo rezolutë ngarkon opozitën me hartimin e një plani e kalendari veprimesh për të skanuar, bërë transparente dhe adresuar këtë dukuri që ka penetruar thellë jo vetëm në administratën shqiptare, por ka kapur e kontrollon nivelin më të lartë të politikës shqiptare, qeverinë dhe kuvendin.

4. NDËRPRERJA E BOJKOTIT DHE “DELEGJITIMIMI” I MAXHORANCËS SË CILËSUAR…
Është hera e parë në 24 vjet që PE pranon se krimi kishte prekur rëndë funksionalitetin e Kuvendit duke mbyllur të gjitha hapësirat e veprimit opozitar në tentativë për ta kthyer atë në fasadë. Kthimi i opozitës në Kuvend është ndërlidhur fuqimisht me kërkesën ndaj maxhorancës për të mos përdorur “maxhorancën e cilësuar” prej 3/5. Kjo kërkesë ka ardhur pas një analize të disa fakteve. Së pari, në zgjedhjet e 23 qershorit 2013, OSBE/ODHIR ka evidentuar raste të blerjes së votave, duke lënë të kuptohet se “maxhoranca pothuajse e cilësuar”(83 mandate) i dedikohet veçse “zgjerimit oligarkik” përmes intimidimit të votës nga kandidatët me profil “oligarkik”. Së dyti, pas zgjedhjeve ka ndodhur edhe “blerja” e dy mandateve të tjera dhe “kapërcimi “oligarkik” i mandateve të kandidatëve të gjinisë femërore me qëllim krijimin e “maxhorancës së cilësuar oligarke”. Këtë analizë e zotëron edhe PE, i cili ka arritur në përfundimin se “zgjerimi oligarkik” ka çuar në “delegjitimimin” e “maxhorancës së cilësuar”. Kjo nënkupton gjithashtu delegjitimimin e të gjitha vendimmarrjeve që kjo maxhorancë ilegjitime ka realizuar deri tani, veçanërisht ajo që lidhet me ndarjen territoriale. Sepse kjo mund të çojë në komprometimin e zgjedhjeve të ardhshme vendore.

5. KOMISIONET HETIMORE NË FUNKSION TË DEKRIMINALIZIMIT…
PE ka kërkuar që të mos pengohet opozita në ngritjen e komisioneve hetimore dhe të zbatohet Kushtetuta e vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Opozita deri tani është penguar të hetonte lidhur me rastet e emërimeve në postet kyçe të administratës publike të individëve me rekorde të dyshimta e deri kriminale. Kontrollet parlamentare për “korrupsionin qeveritar” u zhvlerësuan apo u degjeneruan nga maxhoranca që zotëronte shumicën dhe kryetarin e komisioneve të kontrollit. Opozita duhet të ngrejë gjatë 6 muajve të parë të vitit 2015 dhe në vijim disa komisione hetimore për të ndriçuar rastet e individëve me rekorde kriminale në Kuvend, në të gjitha institucionet kryesore dhe pozicionet kyçe të administratës publike. Këto komisione duhet të tërheqin ekspertizën më të mirë vendase e të huaj për të mundësuar krijimin e një baze të dhënash faktesh e dokumentesh për të gjithë individët me rekorde kriminale.

6. ANGAZHIM I PËRBASHKËT MAXHORANCË – OPOZITË PËR DEKRIMINALIZIMIN.
Rezolutën me “origjinë europiane” u detyrua ta pranonte Kryeministri. Në rezolutën e miratuar i kërkohet qartas, veçanërisht opozitës, por edhe pjesës së “pastër” të maxhorancës, të angazhohen në një “koalicion konsensual” për dekriminalizimin e Kuvendit dhe të administratës, duke shpërfillur votat ilegjitime të “shtesës oligarkike”. Rezoluta e Kuvendit do të duhet të aplikohet: i) për të dekriminalizuar fillimisht të tashmen; ii) për të rivendosur normalitetin përmes zhbërjes të gjithkçaje që “maxhoranca oligarkike” ka keqbërë dhe iii) për të parandaluar kriminalizimin e së ardhmes. Pjesë e dekriminalizimit duhet të jetë edhe ligji për “Testin e drogës për politikanët e gazetarët”. Në 6 muajt e ardhshëm opozita me prioritet duhet të hartojë një kalendar veprimesh në Kuvend, duke mos hequr dorë e madje duke përshkallëzuar protestat popullore e mbajtur të pandërprerë komunikimin me partnerët ndërkombëtarë.
7. SHQIPËRIA NË UDHËKRYQ, MES DEKRIMINALIZIMIT E MBRETËRIMIT TË OLIGARKISË.
Shqipëria është në udhëkryq mes dekriminalizimit e mbretërimit e shtrirjes së oligarkisë. Një nga mënyrat e shtrirjes së kësaj mbretërie në nivel rajonal do të lidhej me zhvillimin e zgjedhjeve vendore me ndarjen territoriale aktuale. Prandaj në planin e veprimit për dekriminalizimin e politikës duhet detyrimisht të përfshihet ridiskutimi e vendimmarrja, me konsensus e pa përdorim të maxhorancës prej 3/5 i ndarjes territoriale. Pa rivendosur në normalitet këtë çështje, jo vetëm nuk do të mund të parandalohej kriminalizimi i politikës në nivel rajonal, por edhe do të minohej zhvillimi i zgjedhjeve të ardhshme vendore, “të lira e të ndershme”. Dy mund të ishin rrugët për dekriminalizimin e politikës: i) rruga e “butë” përmes hartimit e miratimit të “skemave ligjore e institucionale” për korrigjimin e të gjithë “deformimeve” të miratuara nga maxhoranca oligarke dhe parandalimin në të ardhmen e kësaj dukurie, ose ii) rruga e protestave dhe “mosbindjes civile”. Rruga e parë për të garantuar sukses kërkon angazhim të fuqishëm të partnerëve ndërkombëtarë. Rruga e dytë do të aplikohej nëse Rama, përmes marifeteve, do të pengonte dekriminalizmin. Gjasat janë që ky proces të nisë sipas rrugës së parë, të vijojë si një kombinim i dy rrugëve dhe të përfundojë në rrugën e dytë.

8. …DREJT PËRBALLJES “OLIGARKIOLIGARKI” APO PËRPLASJES “DEMOKRACI-OLIGARKI”…
Shqipëria është një vend me drejtim oligarkik dhe prezencë të fortë të kriminalizimit politik e banditizmit. Opozita përmes bojkotit dhe një bashkëpunimi intensiv me partnerët ndërkombëtarë arriti të sensibilizonte PE për një projekt për dekriminalizimin e politikës, i cili u miratua në formën e një rezolute nga Kuvendi i Shqipërisë. Bazuar në këtë rezolutë, opozita ka për detyrë të udhëheqë këtë proces për ngritjen e skemave ligjore e institucionale për çrrënjosjen e oligarkisë, korrigjimin e situatës së deformuar nga përdorimi i maxhorancës oligarke e kthimin e saj në normalitet dhe parandalimin në të ardhmen të shtrirjes e zgjerimit të kësaj dukurie. Elementët themelorë mbi të cilat duhet të orientohej opozita do të ishin: i) “delegjitimimi” i maxhorancës së cilësuar për shkak të natyrës së saj oligarkike; ii) ngritja e komisioneve hetimore për të bërë transparente situatën e kriminalizimit në të gjitha nivelet e qeverisjes; iii) rishikimi/shfuqizimi i të gjitha akteve të miratuara nga maxhoranca oligarke e hartimi e miratimi i tyre me konsensusin substancial të opozitës me pjesën e pastër të maxhorancës; iv) shfuqizimi i ndarjes territoriale të miratuar në mënyrë të njëanshme nga maxhoranca oligarke dhe gjetja e një zgjidhjeje përmes një projekti konsensual për ndarjen territoriale për të mundësuar zhvillimin e zgjedhjeve të ardhshme vendore, të lira e të ndershme; v) testi i drogës për politikanët e gazetarët, vi) ngritja e skemave ligjore e institucionale që realizojnë detyrimisht dekriminalizimin e Kuvendit aktual e të administratës publike dhe parandalojnë këtë dukuri në të ardhmen. Gjasat janë që Rama ta minojë dekriminalizimin dhe me marifete, arrogancë e kokëfortësi ta shtrijë e thellojë këtë dukuri edhe në nivel rajonal. Në këtë rast mbeten dy “mundësi” për të dalë nga kjo situatë: i) përballja “oligarki (banditizëm) – oligarki (banditizëm)” ose ii) përplasja “demokraci (dekriminalizim) – oligarki (banditizëm)”. Opsioni i parë do të çonte në një regjim total oligarkik. Opsioni i dytë, në varësi të raportit të forcave, mund të çonte: 1) në eliminim të demokracisë, pra në një regjim oligarkik,2) në çrrënjosjen e “butë” të oligarkisë dhe 3) në “shporrjen” e egër përmes protestave popullore të “oligarkisë”…. Rruga e preferuar e opozitës do të ishte ajo e çrrënjosjes së “butë” të oligarkisë (banditizmit) që fillon përmes dekriminalizimit, ndërkohë ajo duhet të jetë e përgatitur për të gjitha rrugët…

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb