Krutanët vijojnë të jenë një nga skuadrat më aktive në merkaton e verës, madje deri më tani kanë kryer mbi 10 afrime cilësore. Konkretisht lojtarë titullarë dhe të spikatur të Kategorisë së Parë, por edhe në Superiore.

Ndryshimi pozitiv në radhët e krutanëve është parë edhe në ndeshjet miqësore, ku skuadra e Nikajt ka treguar se do të jetë një ekip solid dhe potent në sezonin e ardhshëm, duke synuar vetëm rikthimin në elitë. Megjithatë, drejtuesit nuk po ndalen në merkato edhe në këto ditë të fundit të tregut. Burime pranë skuadrës bëjnë me dije se krutanët, pasi kanë rënë dakord parimisht me mesfushorin me tipare sulmuese Enriko Papa, i cili edhe i është bashkuar skuadrës në stërvitje gjatë ditës së shtunë, po tentojnë të afrojnë një tjetër futbollist cilësor në skuadër dhe ai është 27-vjeçari Andi Ribaj.
Ish-sulmuesi i Apolonisë, Skënderbeut dhe së fundmi Teutës prej ditësh mësohet se ka nisur bisedimet me drejtuesit e skuadrës krutane, por detajet e bisedimeve dhe në çfarë faze janë ata ende nuk dihen, por pritet që të mësohen gjatë ditës së sotme.

Krutanët, duke filluar nga dita e sotme, seancat stërvitore do t’i zhvillojnë te kompleksi i ekipeve kombëtare në Kamzë, aty ku kryejnë stërvitje disa nga ekipet e Superiores. Sakaq, pas miqësores me Dinamon, krutanët kanë programuar testin e fundit miqësor përpara fillimit të ndeshjeve zyrtare.
Kështu, ditën e mërkurë skuadra e Nikajt do të përballet me Turbinën. Pas një sezoni të vështirë ku skuadra luftoi për mbijetesë në Kategorinë e Parë, tashmë krutanët do të kërkojnë rikthimin në Superiore pas disa vitesh mungesë. Dhe, për këtë, drejtuesit po tregohen shumë aktivë në merkato me afrimin e futbollistëve cilësorë. Gjithashtu, skuadra ka bindur me paraqitjet që ka bërë edhe në ndeshjet miqësore./p.sport

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: