Emiri i Katarit Sheikh Temim Bin Hamad Al Thani dhe Presidenti Turk Recep Tayyip Erdogan u takuan dje në Stamboll gjatë mbledhjes së katërt të Komitetit Suprem të Strategjisë Turqi-Katar, ku theksuan rëndësinë e aleancës strategjike midis dy vendeve dhe përkrahjen e ndërsjelltë në kohë kritike.

Gjatë takimit, Presidenti Erdogan u shpreh se populli turk “ka bërë përpjekje të fuqishme që të dështonte bllokada dhe sanksionet e imponuara ndaj vëllezërve të tyre katarianë”. Në këtë kontekst, Erdogan përmendi edhe proverbin “miku i mirë në ditë të vështirë”, duke shtuar se të dy vendet kanë treguar solidaritet dhe bashkëpunim të ngushtë gjatë periudhave të vështira me të cilat janë përballur.
Ai theksoi se Turqia dhe Katari i kanë provuar në mënyrë të përsëritur njëri-tjetrit se janë miq në kohë kritike. “Gjithashtu dhe Katari është një nga vendet që kanë ofruar mbështetjen më të fortë në arenën ndërkombëtare për vendin tonë pas përpjekjes së pabesë të grushtit të shtetit më 15 Korrik 2016”, tha ai.

Nga ana e tij, Emiri i Katarit Sheikh Temim bin Hamad Al Thani tha se mbështjetja e vendit të tij për Turqinë ishte një detyrim vëllazëror, duke theksuar se Katari nuk harron qëndrimin personal të Presidentit si dhe të Republikës së Turqisë në krah të Katarit gjatë krizës (së Gjirit) që nisi para një viti e shtatë muajve. Në këtë drejtim, Emiri vuri në dukje se Katari u përball me padrejtësi në këtë krizë, por Turqia mbajti anën e së drejtës. “Tani Katari i ka provuar botës se kishte të drejtë dhe se akuzat që iu drejtuan vendit ishin false”, – citoi Qatar News Agency.

Duke iu drejtuar presidentit turk, Sheikh Al Thani tha se “Ne jemi avokatë të paqes e nuk duam probleme. Por të jeni i sigurt z. President se nëse Turqia do të ketë nevojë për diçka në të ardhmen, ne do t’i qëndrojmë pranë miqve dhe vëllezërve tanë”. Më pas, Presidenti Erdogan përshëndeti delegacionin katarian dhe u shpreh krenar për nivelin e lartë të marrëdhënieve të arritur tashmë mes dy vendeve e që përkon me 45 vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet tyre. Erdogan theksoi se Katari i qëndroi në krah Turqisë përballë përpjekjeve spekulative që synuan rrëzimin e ekonomisë turke para disa muajve, dhe falënderoi Katarin në emër të tij dhe të popullit turk për solidaritetin e fortë dhe bashkëpunimin e treguar.

Nga ana tjetër, Emiri i Katarit i përcolli falënderimet dhe mirënjohjen e tij Presidentit turk për pritjen e ngrohtë duke shprehur kënaqësinë për praninë e tij në Turqi në kuadër të mbledhjes së katërt të Komitetit Suprem Strategjik Katar-Turqi, të cilën e konsideroi si një model të fortë të marrëdhënieve vëllazërore mes dy vendeve dhe uroi që këto marrëdhënie të zgjasin përherë.
Në këtë mbledhje, dy palët diskutuan marrëdhëniet e bashkëpunimit strategjik në fusha të ndryshme me interes për të dy vendet dhe popujt, si dhe shkëmbyen pikëpamjet e tyre mbi çështjet aktuale në arenën rajonale dhe ndërkombëtare.

Gjatë mbledhjes, Presidenti turk iu referua takimit që pati më herët me Emirin e Katarit, ku u konfirmua gatishmëria e dy vendeve për thellimin e marrëdhënieve dhe bashkëpunimit të përbashkët në ekonomi, tregti dhe në të gjitha fushat e tjera. Pas mbledhjes, ministrat e të dy vendeve nënshkruan disa protokolle bashkëpunimi strategjik në fusha të tilla si transporti, kultura, tregtia dhe ekonomia.
Në këtë mbledhje morën pjesë nga pala turke Ministri i Jashtëm Mevlut Çavusoglu, ai i Mbrojtjes Hulusi Akar, i Transportit dhe Infrastrukturës Mehmet Cahit Turhan, i Financave dhe Thesarit Berat Albayrak, i Tregtisë Ruhsar Pekcan, Zëdhënësi i Presidencit Ibrahim Kalin, si dhe një numër zyrtarësh turq dhe katarianë.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: