Katari mohoi të shtunën raportet e mediave që pretendonin se është tërhequr nga përpjekjet e ndërmjetësimit për të arritur një armëpushim në Rripin e Gazës, duke thënë se përpjekjet janë bllokuar përkohësisht.
Në një deklaratë, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme Majed bin Mohammed Al-Ansari tha se “raportet e mediave për tërheqjen e shtetit të Katarit nga ndërmjetësimi në lidhje me armëpushimin në Gaza nuk janë të sakta”.
Ai shtoi se Katari “i njoftoi palët 10 ditë më parë gjatë përpjekjeve të fundit për të arritur një marrëveshje, se do të ndalonte përpjekjet e tij për të ndërmjetësuar midis Hamasit dhe Izraelit nëse nuk arrihet një marrëveshje në atë raund”.
Në deklaratë thuhet se Doha “do të rifillojë ato përpjekje me partnerët e saj kur palët të tregojnë vullnetin dhe seriozitetin e tyre për t’i dhënë fund luftës brutale dhe vuajtjeve të vazhdueshme të civilëve”.
Zëdhënësi tha se Katari “nuk do të pranojë që ndërmjetësimi të jetë një arsye për shantazhimin e tij”.
Ai tha që që nga armëpushimi fillestar nëntorin e kaluar, ka pasur taktika manipuluese, duke përfshirë heqjen dorë nga detyrimet e dakorduara nëpërmjet ndërmjetësimit dhe shfrytëzimin e negociatave për të justifikuar vazhdimin e luftës për t’i shërbyer “qëllimeve të ngushta politike”.
Al Ansari gjithashtu i quajti raportet në lidhje me mbylljen e zyrës politike të Hamasit në Doha si “të pasakta”, duke thënë se qëllimi i tij kryesor është të jetë një “kanal komunikimi” midis palëve të interesuara dhe kanali ka kontribuar në arritjen e një armëpushimi më herët.