Ministri i Jashtëm i Katarit Sheikh Mohammed bin Abdul Rahman Al Thani, i konsideroi gjetjet e raportit të fundit të Kombeve të Bashkuara rreth shkeljeve të kryera gjatë luftës së Jemenit, si tepër shqetësuese.

Në një cicërimë në Twitter, Sheikh Al Thani theksoi se shmangia e shkeljeve dhe krimeve të luftës në çdo cep të botës është detyrë morale dhe njerëzore.
Ai u bëri thirrje palëve të konfliktit në Jemen të vënë çështjen e jetës së njerëzve mbi çdo konsideratë tjetër, si dhe fillimin e një dialogu mbarëkombëtar që përfshin pa përjashtim të gjithë spektrin e popullit jemenas, në mënyrë për të ndalur gjakderdhjen dhe arritur pajtimin.

Raporti i Grupit të Ekspertëve të OKB-së mbi hetimin për shkeljet e të drejtave të njeriut në Jemen – që mbulon periudhën shtator 2014 / korrik 2018 – ngarkoi me përgjegjësi Emiratet e Bashkuara Arabe, Arabinë Saudite dhe qeverinë jemenase për shkeljen e të drejtave të njeriut gjatë luftës në Jemen.
Kryetari i Panelit të Ekspertëve tha se të gjitha palët në konfliktin e armatosur kanë kryer shkelje të rënda, shumë prej të cilave arrijnë nivelin e krimeve të luftës.

Sipas ekspertëve të Kombeve të Bashkuara, oficerët emiratas kanë përdhunuar të burgosurit dhe kanë kryer ndaj tyre abuzime seksuale me mjete të ndryshme ndaj tyre, duke theksuar se kushtet në të cilat mbahen të ndaluarit në qendrat e paraburgimit janë tmerrshme.

Raporti tha se grave të ndaluara u është kërkuar t’i nënshtrohen akteve të përdhunimit, duke i kërcënuar me sigurinë e familjeve dhe rrethit të tyre shoqëror. Ato që kundërshtonin janë torturuar ose ekzekutuar.
Nga ana e saj, ambasadori britanik në Kombet e Bashkuara Karen Pierce, deklaroi se vendi i saj është duke studiuar me shumë kujdes raportin në fjalë dhe përsëriti thirrjen e Këshillit të Sigurimit drejtuar palëve në konflikt që të respektojnë ligjin humanitar ndërkombëtar.

Ndërsa Lina Maalouf, drejtoresha për Lindjen e Mesme në “Amnesty International” tha se raporti i fundit i OKB-së mbi shkeljet e të drejtave të njeriut në Jemen thekson nevojën e domosdoshme për vendosjen e ndalimit të armëve në Jemen, dhe se hetimet në këtë duhet të jenë të rrepta.

Maalouf i bëri thirrje Shteteve të Bashkuara, Mbretërisë së Bashkuar dhe vendeve të tjera të ndalojnë menjëherë fluksin e armëve në Jemen, si dhe ti japin fund kufizimeve arbitrare të koalicionit (që udhëhiqet nga Arabia Saudite) ndaj ndihmave humanitare dhe materialeve të tjera bazë.

Gjithashtu, Sekretari i Mbrojtjes i SHBA James Mattis, tha gjatë një konference për shtyp në Pentagon, se mbështetja e administratës amerikane për koalicionin e udhëhequr nga sauditët në luftën e Jemenit nuk është e pakushtëzuar. Ai deklaroi se Uashingtoni i ka kërkuar Riadit të hetojë me shpejtësi sulmet ajrore saudite këtë muaj, që shkaktuan vdekjen e dhjetëra civilëve.

Nga ana tjetër, koalicioni saudito-emiratas tha se qëndrimin e tij mbi raportin e fundit të OKB-së do ta bënte të ditur pas shqyrtimit të tij nga ekipi ligjor i koalicionit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: