Hamasi mund të detyrohet të mbyllë zyrat e tij në Katar, pasi SHBA i tha shtetit të vogël të Gjirit Persik se lejimi i grupit militant islamik që të ketë një bazë atje nuk është më i pranueshëm. Katari, një partner kyç i SHBA-së në Lindjen e Mesme, ka pritur zyrën politike të Hamasit për më shumë se një dekadë dhe ka lejuar shumë udhëheqës të lartë të organizatës të jetojnë atje.
Kërkesa u raportua nga Reuters vonë të premten, por ende nuk është konfirmuar zyrtarisht.
“Pas refuzimit të propozimeve të përsëritura për lirimin e pengjeve, liderët e [Hamasit] nuk duhet të jenë më të mirëpritur në kryeqytetet e asnjë partneri amerikan. Ne ia bëmë këtë të qartë Katarit pas refuzimit të Hamasit javë më parë të një tjetër propozimi për lirimin e pengjeve”, tha zyrtari i lartë për Reuters, duke folur në kushte anonimati.
Kritikët e kërkesës së SHBA thonë se ajo do të pengojë angazhimin me elementë të Hamasit potencialisht më të prirur për kompromis dhe mund të rrisë ndikimin e shteteve më armiqësore, si Irani, mbi grupin militant.
Hamasi ende mban rreth 100 pengje të kapur gjatë sulmit të befasishëm në Izrael tetorin e kaluar. Raunde të shumta negociatash që synonin t’i jepnin fund luftës 13 mujore në Gaza kanë dështuar.
Shteti i vogël, por me ndikim i Gjirit Persik ka qenë një ndërmjetës kyç në bisedimet për të ndërmjetësuar një armëpushim dhe ka të ngjarë të përmbushë kërkesën e SHBA-së, thanë analistët. Zyrtari amerikan i tha Reuters se Katari, i cili është caktuar si një aleat i madh nga Uashingtoni, ia kaloi kërkesën udhëheqësve të Hamasit rreth 10 ditë më parë.
Udhëheqësit e Hamasit janë përgatitur për shumë muaj për t’u larguar nga Katari, me Turqinë dhe Irakun të sugjeruar si alternativa të mundshme. Grupi hapi së fundmi një zyrë politike në Bagdad. Zyrtarët e Hamasit mohuan se Katari i kishte thënë organizatës të largohej dhe nuk ka pasur asnjë reagim nga ministria e jashtme e Katarit ndaj raportimeve.
Kërkesa për Katarin vjen mes një stuhie aktivitetesh pasi administrata e presidentit amerikan, Joe Biden, përgatit një përpjekje përfundimtare për t’i dhënë fund sulmeve izraelite në Gaza dhe Liban përpara se t’ia dorëzojë pushtetin Donald Trump, i cili ka thënë se edhe ai dëshiron të shohë një fund të konfliktit.
Megjithatë, nuk ka asnjë shenjë të menjëhershme se ndonjë përparim është i mundur. Në raundet e mëparshme të bisedimeve, mosmarrëveshjet nëse ndonjë armëpushim do të ishte përfundimtar dhe tërheqja e trupave izraelite nga Gaza kanë bllokuar një marrëveshje.
Vëzhguesit kanë fajësuar Yahya Sinuar, liderin e Hamasit, dhe kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, për dështimin për t’i dhënë fund konfliktit, duke thënë se Sinuar nuk donte të ndalonte luftën që po dëmtonte pozitën ndërkombëtare të Izraelit dhe Netanyahu qëllimisht anashkaloi marrëveshjet e njëpasnjëshme të mundshme për arsye politike të brendshme.
Katari ka pritur liderët politikë të Hamasit që nga viti 2012 kur grupi u largua nga Damasku pasi u përplas me regjimin sirian. SHBA-ja e mbështeti këtë veprim në atë kohë, duke besuar se do të lejonte një kanal të dobishëm komunikimi për Hamasin.
Sheikh Mohammed bin Abdulrahman Al Thani, kryeministri i Katarit, ka thënë vazhdimisht gjatë vitit të kaluar se zyra e Hamasit ekziston në Doha për të lejuar negociatat me grupin. Por, pas sulmit të vitit të kaluar nga Gaza në Izraelin jugor, në të cilin Hamasi vrau 1200 njerëz dhe rrëmbeu 250 të tjerë, sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken, u tha udhëheqësve në Katar dhe gjetkë në rajon se nuk mund të ketë më “punë si zakonisht” me Hamasin.
(Balkanweb)