LEZHE – Katastrofe ekologjike në lagunën e Kunes në Lezhë, peshqit ngordhin në ujë. Situata është denoncuar nga peshkatarët, të cilët prej një viti kanë konstatuar gjendjen, por nga institucionet përkatëse nuk ka pasur asnjë reagim.

Jashtë kameras ata pretendojnë se kjo situatë është krijuar për shkak të derdhjes së ujërave të ndotur në lagunë, ç’ka ka sjellë jo vetëm ngordhjen e peshqve, por edhe dëmtimin e gjithë habitatit në këtë lagunë.

Ngordhja e peshqve pranohet edhe nga Drejtori i Zonave të Mbrojtura Lezhë, Pjetër Toni, por sipas të cilit, kjo situatë ka ardhur nga mungesa e oksigjenit pas mbylljes së grykës së Mergjanit, që lidh lagunën me detin.

I pyetur për kryerjen e analizave të ujit pas denoncimit të kësaj situatë ndotje, Pjetër Toni thotë se kjo është detyrë e Inspektoratit të Peshkimit, por që sipas tij është ngritur një grup pune për verifikime në terren dhe të hënën do ketë një raport me përgjigjet përkatëse.

Lidhur me shkeljen e moratoriumit, pasi në këtë zonë shpendët tashmë janë të rrallë, Toni deklaron se ka pasur raste sporadike të shkeljes së tij, por në përgjithësi moratoriumi është respektuar.
(er.nu/news24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: