TIRANË

Kryeministri Edi Rama ka folur gjatë sot në aktivitetin e organizuar për prezantimin e Paketës Speciale AntiKÇK (KÇK-Kap ça të kapësh). Procesi i integrimit, reforma në drejtësi, ekonomia ishin disa nga temat ku u ndal shefi i maxhorancës.

Ai tha si dëshmitar se mos hapja e negociatave ishte rezultat i një konflikti të brendshëm duke rrëfyer se janë thirrur në Paris pak ditë më parë 4 ambasadorët e Maqedonisë së Veriut, Serbisë, Shqipërisë dhe Malit të Zi për këtë proces. “E kemi humbur këtë tren në 2019”, theksoi Rama por duke theksuar se do vazhdojmë të bëjmë të njëjtën gjë në rast se vendimi do ishte pozitiv.

“Besoj që fakti që Gjermania konkludoi me një ‘Po’ të Bundestagut është një provë që përpjekjet tona rezultuan të suksesshme. Duke u përqendruar tek ajo po na është dhënë mundësia që në mungesë të vendimit për çeljen e negociatave të kemi një udhërrëfyes për procesin e integrimit europian.
Është fare e qartë nga ana tjetër se ajo që ndodhi natyrisht nuk mund të mos e trondiste opinionin publik dhe nuk mund të mos krijonte një ndjesi zemërimi, një pjesë ndaj qeverisë, një pjesë ndaj faktorëve të tjerë, brenda ose jashtë.
Ka shumë versione për këtë. Unë besoj se si dëshmitar i procesit mund të dëshmoj versionin tim që refuzimi në fund ishte rezultat i një konflikti të brendshëm që lidhet me divergjencat mes Francës e Gjermanisë për mënyrën se si duhet të reformohet BE.
Kaq e vërtetë është kjo sa që para pak ditësh në Paris janë thirrur 4 ambasadorë, i Serbisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të zi dhe Shqipërisë. Janë thirrur për të çelur një dialog lidhur me qëndrimin e Francës në raport me mënyrën e zgjerimit dhe mënyrën se si sipas Francës duhet të konfigurohet procesi. Pavarësisht se çfarë kemi bërë ne, pavarësisht se si duhet të reformohemi, vendimmarrja ishte fryt i brendshëm në Këshillin Europian që ka prodhuar një divergjencë. Ne e kemi humbur këtë tren në 2019 në funksion të kësaj divergjence. Pavarësisht vendimit, Shqipëria nuk ka asnjë rrugë tjetër. Ne do vazhdojmë të bëjmë të njëjtën gjë që duhet të bënim në rast se vendimi do ishte pozitiv. Në fund të ditës, ne e kemi shprehur në programin qeverisës, procesi i integrimit nuk është një proces që e bëjmë se na e kërkojnë të tjerët, apo thjesht se duam të arrijmë në një stacion, por e bëjmë sepse është në interes të vendit tonë, në interes të gjeneratave të tjera. Na jep ne mjetet e nevojshme dhe importon nga BE dijen e nevojshme për të modernizuar shtetin”, deklaroi Rama, raportoi “BalkanWeb”.

Pikërisht për të ilustruar këtë, ai solli si shembull reformën në drejtësi, për të cilën tha se nuk do ishte bërë kurrë nëse SHBA dhe BE nuk do ishin garant.
“Në procesin e shtetbërjes demokratike mjafton t’i referohemi reformës në drejtësi. Reforma në drejtësi që edhe kështu jemi në një konflikt kurrë nuk do ishte bërë nëse nuk do ishte pjesë e këtij procesi. Kurrë nuk do ishte bërë nëse SHBA dhe BE nuk do ishin jo vetëm mbështetës por bashkudhëtarë, madje garant në këtë proces”, deklaroi kreu i qeverisë.

Duke u ndalur tek ekonomia, Rama tha se edhe këtë vit është konfirmuar trend pozitiv dhe se nuk ka të krahasuar situata sot me atë dje por edhe me pritshmëritë.
“Vit i vështirë që ka ndikuar dhe në ekonominë e vendit. Ka krijuar një nivel të ri pasigurie në raport me të nesërmen. Çdo ndjesi pasigurie është një ndjesi që reflekton menjëherë në situatën aktuale të ekonomisë. Megjithatë ia vlen që ne të përsërisim bazuar mbi fakte se përsëri edhe këtë vit është konfirmuar një trend pozitiv i nisur 6 vite më parë dhe pa diskutim në raport nga ku jemi nisur sot kemi të dhëna në ekonomi që kokëfortësisht tregojnë se nuk ka të krahasuar situata sot me situatën dje. Por pa diskutim nuk ka të krahasuar situata sot me pritshmëritë dhe nevojën e gjithë bashkësisë sonë për një ekonomi që nesër duhet të jetë shumë më e fortë dhe më e gatshme t’u japë të gjithëve një mundësi. Shifra e rritjes ekonomike është kokëfortë, ashtu sikundër është kokëfortë e gjithë përbërja e të dhënave të ekonomisë që lidhet drejtpërdrejt me individin.
Të marrim të dhënat e të ardhurave për frymë dhe të shikojmë se si ato kanë ndryshuar në vitin 2013, në vitin 2019. Le të marrim të shikojmë më tej konsumin, kapaciteti i fuqisë blerëse. Shikoni konsumin mujor të vitit 2014 dhe konsumin mujor të vitit 2018. Për të vazhduar më tutje, shikoni familjet me konsum të ulët. Këtu flitet edhe me të drejtë për varfërinë, pabarazinë, shpërndarjen e padrejtë të të ardhurave, për një shtet që duhet të jetë më social. Por pak kush iu referohet fakteve.
Shikoni ndryshimin me 5 vite më parë dhe sot. Konsumi është rritur dhe tek familjet me konsum të ulët dhe ky është fakt”, deklaroi Rama.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb