Nga: FATMIRA NIKOLLI*

TIRANE- Të veshur me rrecka, që më shumë janë mbuloja trupi sesa rroba, me flokët e kapur për të mos u zënë sytë, me shikimin e trishtuar të tretur në det, teksa mbajnë në krahë foshnja që ende ushqehen me gji, gratë u aviten ‘karrocave’ të detit. Në çastet e fundme, para se të marrin një rrugë pa kthim, duan të refuzojnë. Por, ato janë kërrusur nga 1997-ta, nga dhimbja, lodhja, skamja, lufta civile, frika, kaosi, vrasjet, vjedhjet, armët, rrëmuja, pasiguria, nga një vend ku shpresa u është vrarë dhunshëm, mu para sysh, dhe e kanë parë të japë shpirt. Duhet t’i çojnë të vegjlit matanë detit, duhet t’i shpëtojnë, ndaj marrin rrugën drejt portit të Vlorës, aty ku në mbamendjen e tyre, e ka zanafillën udha drejt tokës ku nis jeta e re. Opera “Katër i Radës”, kushtuar emigrantëve shqiptarë që u mbytën nga autoritetet italiane(anijet e Marinës Ushtarake) në Otranto më 1997-ën, u vu në skenën e Akademisë së Arteve, e kjo, ishte pamja e parë e saj. Me libret të Alessandro Leogrande dhe muzikë të Admir Shkurtajt, ajo mban firmën e regjisorit Salvatore Tramacere.

Shfaqja, që i ka ikur krejtësisht formës klasike të operës, erdhi në Tiranë, nga Bienalja e Venecias. Interpretohet në dy gjuhë, në shqipe e në italisht, dhe çdo detaj i saj, ishte në funksion të krijimit të gjendjes së përjetuar nga emigrantët shqiptarë që humbën jetën 18 vite më parë. Në rolet e shqiptarëve të anijes “Katër i Radës” janë sopranoja Simona Gubello, mezosopranoja Marzia Marzo, tenori Stefano Luigi Mangia, dhe Alesia Tondo, Emanuela Pisiçhio, Anna Chiara dhe Fabio Zulino. Si pjesë e orkestrës interpretojnë: Admir Shkurtaj, Marco Ignoti, Girogio Distante, Jacopo Conoci, Vanessa Sotgiu dhe Pino Basile. Në sallën ku u vu në skenë opera, nuk munguan familjarët e viktimave që humbën jetën e as ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, si dhe drejtorët artistikë të “Tirana Open”, Arlinda Dudaj, Vladimir Myrtezai dhe Helidon Gjergji. SHFAQJA E DHIMBJES Më shumë sesa te fjalët (që ishin kujdesur të kishin dialektin vlonjat), vëmendja qe përqendruar te klithma, ulërima, tingujt njerëzorë që përcjellin tmerrin, frikën, dëshirën për të ikur dhe pafuqinë për ta bërë. Veshjet të sjellin parasysh shqiptarë të gjallë të kohës, skenografia sjell anijen, portin që s’i priti kurrë dhe errësirën e detit.

‘Vajet’ e atyre që ikin i resht trafikanti që numëron paratë, dhe gjithë skena shoqërohet me fjalë që përsëriten pa fund: pse, pse, pse; O Zot, o Zot, o Zot; hajde, ik, hajde, ik, hajde ik; kam frikë, kam frikë, kam frikë; shumë dallgë, shumë dallgë, shumë dallgë; do pi djali, do pi djali, do pi djali; a keni marrë bukë, a keni marrë bukë, a keni marrë bukë; ra në ujë, ra në ujë, ra në ujë; mos qaj, mos qaj, mos qaj; medet, medet, medet. Përsëritja ka efektin e një klithme që çan natën, e një refreni që të vë përfund, që të shtin ankthin, që bllokon frymëmarrjen, që arrin të të fusë në atë anije, në panik, në gjendjen e atyre që një mbrëmje marsi teksa vuanin, s’e kuptuan që po jetonin çastet e mbrame të jetës së tyre; deri në fund, ata mbase s’e ditën që ai ishte fundi dhe nëse mund të ishte më i tmerrshëm se kaq. Të njëjtin funksion ka muzika e Admir Shkurtajt. Ritmet e melodia e saj, ‘imitojnë’ dhe sjellin zhurmën e luftës, zhurmën e dallgëve të detit që përplasen me anijen, dhe në fund, zhurmën e përmbytjes, të fikjes e të vdekjes. Pos tingujve që dalin nga vegla muzikore të njohura e nga ato më pak të njohura, përcjellja e shqiptarëve drejt jetavdekjes, bëhet edhe nga këngavajet e një grupi polifonik. “Violinat e Lapardhasë”(Feti Ibrahimi, Nazo Çelaj, Nikolin Likaj, Meleq Çela, Sali Brahimaj dhe Vendim Kapaj) mblidhen në skenë dhe i japin një ngjyrë më shumë shqiptare operës. Veçse për t’i përcjellë drejt vdekjes emigrantët, ata këndojnë edhe në fund, për të dhënë lajmin e kobshëm: “Po bjen deti dallgët-o/ dallgët që trondisin-0/ dil moj nënë e varfër-o/ dil, jepu uratat-o/ thuaju të kthehen-o/ se vetëm nëna ju do”. Deti i hëngri të gjithë. Dhe prej tij, dalin veçse disa rroba ‘të vëna në varëse’, që ngjiten prej thellësive ku mbetën njerëzit.

Gjithë ç’mbeti prej tyre janë teshat e trupit, një gjetje regjisoriale kjo, për të shënjuar ata që ikën, trupat që lanë teshat, shpirtra që mbetën në mes të detit, ata që u nisën, por nuk mbërritën kurrë, e as nuk u kthyen kurrë. Më 1997-ën, Italia i mbylli portat dhe ata u shuan përballë brigjeve, pa mundur ta shkelnin tokën. 18 vite më vonë, prej andej, vjen një pjesë artistike që është një homazh për ta. Në shfaqjen e së premtes ishin edhe familjarët e viktimave. Njëra prej tyre, e veshur me të zeza, doli në skenë për të përshëndetur artistët, për t’i falenderuar dhe për të kritikuar jo vetëm politikat e Italisë dhe BE-së ndaj emigrantëve, por edhe deklaratën e deputetes italiane, Daniela Santache, e cila pak javë më parë u shpreh: “Italia duhet të fundosë anijet që bartin emigrantë, ashtu si u bë me shqiptarët”, duke iu referuar vitit 1997. Pos saj, të njëjtin mesazh dha edhe stafi që i dha jetë kësaj opere, si libretisti Leogrande dhe Admir Shkurtaj. Artistët, theksuan se sot nuk është më Otranto që merr jetë, por Lampeduza. Janë të tjerë njerëz, të tjera jetë, por e njëjta vdekje, që pak kthetrat në të njëjtin det që përpin edhe 700 viktima. Me rrobat e të humburve pezull në ajër, skena mbyllet, të gjithë ikin. Pas, mbetet kujtimi i një deti që hapet për të përpirë dhjetëra jetë, kujtimet dhe një dhembje, që dhemb shumë, që dhemb pa fund, e mbase shpresa se si ata, nuk do ketë shumë.

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: