Nëse shohim organikat e Partizanit të sivjetshëm dhe atij të vjetshëm, dalim në një konkluzion të thjeshtë se Partizani është dobësuar.
Lojtarë si Rrapaj, Cara, Mba, Maget, Hadroj, Sota apo Murataj nuk janë më aty dhe të ardhurit janë nën nivelin e tyre, çka ka shkaktuar një rënie në lojë, e reflektuar më pas edhe në shifra. Kjo skuadër është ndjeshëm më e dobët se rivalët dhe këtë e tregojë edhe ndeshjet e fundit mes tyre.
Në sfidat pas janarit, Egnatia, Vllaznia dhe Dinamo kanë arritur ta mposhtin dhe ta dominojnë Partizanin. Nëse u bëjmë një krahasim pikëve të grumbulluara pas 32 javësh, vërtetohet rënia e Partizanit në numra. Vjet, pas 32 ndeshjesh të kuqtë kishin grumbulluar 51 pikë dhe ishin në vendin e tretë, kokë më kokë me Vllazninë dhe Egnatian për dy vendet e para që të japin avantazhin e barazimit.
Në të njëjtën pikë të sezonit, të kuqtë kishin shënuar 43 gola dhe kishin pësuar 28 të tillë. Këtë sezon, pas 32 javësh Partizani ka grumbulluar 47 pikë, katër më pak se vjet, teksa renditet një shkallë më poshtë, në vendin e katërt, por me shanse tejet minimale për tu ngjitur në dy vendet e para. Bie në sy edhe numri më i vogël i golave të shënuar, vetëm 35 të tillë, plot tetë më pak se vjet. Nga ana tjetër, skuadra e Gegës ka pësuar një gol më shumë, duke mos shënuar përmirësim as në mbrojtje. Gjithsesi, mbetet të shihet nëse me Gegën gjërat do të ndryshojnë.