Tre studiues ligjorë i thanë Kongresit të Mërkurën se Presidenti Donald Trump ka bërë shkelje që çojnë në shkarkim nga detyra, duke e shtyrë Ukrainën që të hap hetime nga të cilat ai mund të përfitonte politikisht.

Profesori i ligjit nga Universiteti i Harvardit, Noah Feldman u tha ligjvënësve se Presidenti Trump, duke “i kërkuar në mënyrë korruptive” Presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskiy që të fillojë hetimin e njërit prej rivalëve të tij kryesorë demokratë të zgjedhjeve të vitit 2020, ish-nënpresidentit Joe Biden, “ka bërë në mënyrë të qartë krime dhe shkelje”, standardi i përcaktuar në Kushtetutën amerikane për shkarkimin e një presidenti.

Pamela Karlan, profesore e drejtësisë në Universitetin e Stanfordit, tha se Presidenti i Shteteve të Bashkuara duhet t’i rezistojë ndërhyrjeve të huaja në zgjedhjet amerikane, e jo t’i nxisë ato. Ajo e quajti kërkesën e Presidentit Trump drejtuar Zelenskiy-it një “abuzim veçanërisht të rëndë të pushtetit”.

Në prezantimin e tij, profesori i drejtësisë nga Universiteti i Karolinës së Veriut, Michael Gerhardt i tha Komisionit Juridik të Dhomës së Përfaqësuesve se, “Nëse Kongresi nuk arrin të shkarkojë (nga detyra Presidentin) në këtë rast, atëherë procesi i shkarkimit të Presidentit i ka humbur të gjitha kuptimet, dhe, së bashku me atë, masat mbrojtëse të hartuara me kujdes në Kushtetutën tonë kundër ngritjes së një mbreti në tokën amerikane. Askush, madje as Presidenti nuk është mbi ligjin “.

Republikanët që mbështesin Presidentin Trump ftuan ekspertin ligjor Jonathan Turley, një profesor i drejtësisë në Universitetin George Washington, i cili tha se ai votoi kundër Presidentit Trump në vitin 2016. Megjithatë, profesor Turley tha se ka “një numër tepër të vogël provash” që mbështesin shkarkimin e Presidentit Trump nga detyra dhe “zemërim të bollshëm” nga demokratët që synojnë largimin e Presidentit Trump nga detyra. Zoti Turley tha se biseda telefonike e Presidentit Trumpit në fund të korrikut me Presidentin (ukrainas) Zelenskiy nuk ishte “perfekte”, ashtu siç ka pretenduar zoti Trump, por jo bazë për shkarkimin e tij nga detyra.

Seanca dëgjimore e Komisionit Juridik ishte hapi tjetër në përpjekjen e demokratëve të Dhomës së Përfaqësuesve për të shkarkuar nga detyra Presidentin e 45-të të vendit, vetëm hera e katërt në historinë 243-vjeçare të vendit që një udhëheqës amerikan përballet me një proces zyrtar të shkarkimit nga detyra.

Studiuesit ligjorë rikujtuan historinë nga më shumë se dy shekuj më parë, kur baballarët themelues të vendit shkruan në Kushtetutë se presidentët mund të hetohen dhe shkarkohen nga detyra nëse ligjvënësit vendosin se ata kanë kryer “tradhti, mitmarrje, apo krime të tjera të larta dhe shkelje”. Feldman, Karlan dhe Gerhardt thanë të gjithë se Trump kishte përmbushur kriteret për shkarkim nga detyra të përcaktuara në Kushtetutë, duke përshkruar veprimet e tij si një “abuzim të pushtetit”.

Profesor Feldman tha se nëse Presidenti Trump nuk mban përgjegjësi për veprat që dyshohet se i ka bërë, “Ne nuk jetojmë më në një demokraci”.

Drama e hetimit mbi shkarkimin e Presidentit përqendrohet në kërkesën e zotit Trump në fund të korrikut drejtuar Presidentit ukrainas Zelenskiy për të “na bërë një favor”, hetimin e ish nënpresidentit Biden, punën e djalit të tij Hunter për një kompani ukrainase të gazit natyror dhe një teori të hedhur poshtë se Ukraina kishte ndërhyrë në zgjedhjet amerikane të vitit 2016, të fituara nga zoti Trump, e jo Rusia, siç thuhet në raportin përfundimtar të komunitetit të inteligjencës amerikane.

Në atë kohë, Presidenti Trump përkohësisht shtyu ndihmën ushtarake me vlerë 391 milion dollarë që Kievi e dëshironte për luftën kundër separatistëve pro-rusë në Ukrainën lindore. Presidenti Trump përfundimisht lëshoi ndihmën në shtator pa u hapur hetimet nga Ukraina ndaj zotit Biden, provë, që republikanët thonë, se nuk kishte “quid pro quo”, një shkëmbim favoresh mes zotit Trump dhe Ukrainës.

Por, Dhoma e Përfaqësuesve e kontrolluar nga demokratët mund të miratojë me një shumicë të thjeshtë votash shkarkimin e Presidentit Trump para fillimi të pushimit në javën e Krishtëlindjes në fund të dhjetorit, duke i hapur rrugën një gjyqi muajin tjetër në Senatin me shumicë republikane, ku do të duhen dy të tretat e votave për të shkarkuar Presidentin Trump nga detyra.

Megjithatë, largimi i Presidentit Trump nga Shtëpia e Bardhë mbetet i pamundur, sepse për këtë duhen votat e të paktën 20 senatorëve republikanë. Disa senatorë republikanë kanë kritikuar kërkesën e Presidentit Trump drejtuar Presidentit Zelenskiy, por asnjëri prej tyre nuk ka shprehur mbështetje për shkarkimin e tij nga detyra.

Dy ish presidentë amerikanë, Andrew Johnson dhe Bill Clinton, ishin pjesë e procesit të shkarkimit, por nuk u shpallën fajtorë nga Senati dhe nuk u shkarkuan nga posti. Ndërsa, Presidenti i tretë, Richard M. Nixon dha dorëheqjen pasi përballej me një shkarkim të sigurt nga detyra.

Presidenti Trump ka sulmuar përpjekjen për shkarkimin e tij, duke thënë se ai nuk kishte bërë asnjë shkelje me kërkesën e tij drejtuar Ukrainës për hapjen e hetimeve nga cilat ai do të përfitonte politikisht. Gjatë vizitës së tij në Londër, ku ai po merr pjesë në samitin e NATO-s, fushata e tij politike u ankua se mazhoranca “Demokratët po marrin në pyetje TRE ekspertë ligjorë, ndërsa republikanët vetëm një!” në seancën e së mërkurës. “I gjithë ky proces është i padrejtë jo vetëm ndaj @realDonaldTrump, por edhe ndaj Popullit Amerikan!”

Republikanët në Komisionin Juridik të Dhomës së Përfaqësuesve u përpoqën të vononin seancën e së mërkurës dhe bënë thirrje që edhe informatori anonim të dëshmonte para tyre. Raportimi i informatori anonim për bisedën telefonike mes Presidentit Trump dhe homologut të tij ukrainas Zelenskiy shkaktoi fillimi e hetimit që ka marrë ngjyrime politike. Por, demokratët me shumicë në Komisionin Juridik i hodhën poshtë të dy kërkesat me vota në linja partiake, 24-17.

Seanca dëgjimore vjen një ditë pasi Komisioni i Inteligjencës në Dhomën e Përfaqësuesve lëshoi një raport prej 300 faqesh, në të cilin Presidenti Trump akuzohet për “shkelje” në përpjekjen për të kërkuar ndërhyrjen politike të Ukrainës në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020 dhe më pas duke bërë përpjekje maksimale për “penguar” Kongresin në hetimin e veprimeve të tij.

Udhëheqësit republikanë në Dhomën e Përfaqësuesve iu përgjigjen raportit të demokratëve, duke thënë se “nuk ka asgjë bindëse, nuk ka asgjë marramendëse për të ecur përpara me procesin e shkarkimit të Presidentit”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb