Polonia, Lituania, Letonia dhe Estonia kërkuan të mërkurën që Bashkimi Evropian të ndërtojë një linjë mbrojtëse përgjatë kufirit të bllokut me Rusinë dhe Bjellorusinë për të mbrojtur BE-në nga kërcënimet ushtarake dhe aktivitetet e tjera të dëmshme nga Moska.

Në një letër drejtuar kryetarit të BE-së që do të diskutohet në një samit në Bruksel që fillon të enjten, liderët e katër vendeve që ndajnë kufijtë me Rusinë dhe Bjellorusinë thanë se projekti, për të mbrojtur bllokun 27-vendesh prej 450 milionë banorësh, do të kishte nevojë edhe për mbështetjen financiare të të gjithë anëtarëve.

“Ndërtimi i një sistemi të infrastrukturës së mbrojtjes përgjatë kufirit të jashtëm të BE-së me Rusinë dhe Bjellorusinë do të adresojë nevojën urgjente për të siguruar BE-në nga kërcënimet ushtarake dhe hibride”, thuhet në letrën e katër liderëve, sipas Reuters.

Kërcënimet hibride i referohen një kombinimi të mjeteve ushtarake dhe joushtarake, si dhe mjeteve të fshehta dhe të hapura, duke përfshirë dezinformimin, sulmet kibernetike, presionin ekonomik dhe shtyrjen e emigrantëve përtej kufijve.

“Shkalla dhe kostot e kësaj përpjekjeje të përbashkët kërkojnë një veprim të përkushtuar të BE-së për ta mbështetur atë si politikisht ashtu edhe financiarisht”, thuhej në letër.

Disa diplomatë të BE-së vlerësuan koston e ndërtimit të një linje të tillë mbrojtëse në terren përgjatë 700 km kufirit të BE-së me Rusinë dhe Bjellorusinë në rreth 2.5 miliardë euro (2.67 miliardë dollarë).

Investimi evropian në mbrojtje dhe financimi i saj do të jetë një nga temat kryesore të diskutimit midis liderëve të BE-së në samit, pasi lufta e Rusisë kundër Ukrainës ka hyrë në vitin e tretë dhe Moska po rrit operacionet hibride kundër Perëndimit.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb