Ish-deputeti i PS-së Bardhyl Agasi, i ftuar në emisionin “Kjo Javë” në News24 me gazetaren Nisida Tufa, foli për Moikom Zeqon, intelektualin që katër vite më parë ndërroi jetë nga një sëmundje e rëndë nga e cila vuajte prej një kohe të gjatë.
Agasi thekson se Moikom Zeqo ishte një nder i kombit shqiptar dhe monument i kulturës sonë. Ai tha se politika nuk ia shpërbleu Moikomit, për aq sa ai e meritonte.
Bardhyl Agasi: Ikja e Moikom Zeqos është humbje e madhe për kombin. Moikom Zeqo ishte monument i kulturës kombëtare. Unë dhe Moikomi kemi qenë miq të hershëm, ishim miq që 12 vjeç, bëmë shkollën të dy për letërsi, më pas ishim të dy deputetë në parlament. Ai ishte kurajoz i madh dhe mbante përbrenda atë që kishte. Kur na thanë në fillim, ne i thoshim se kalon leucemia, por ai kishte një leucemi akute, bëri kimioterapi me një durim të jashtëzakonshëm. Moikomi kishte forcë, por në fund nuk tregonte veten, por e kuptonim situatën.
Çuditërisht ‘e mbyti’ një kollë e madhe. Erdhi një moment që ai tha se nuk mundem më dhe vërtetë që e ndjeu dhe ishte fundi. Shkruante edhe në ditët e fundit të jetës së tij. Moikom Zeqo ishte socialist i deklaruar, por nuk ishte anëtar partie. Moikomi nuk është brenda një kornize, ai ngrihej mbi partitë. Moikom Zeqo gjithmonë thoshte që kombi vjen para partisë. Kur PD erdhi në pushtet, ai qëndroi 15 vite pa punë. Politika nuk ia shpërbleu Moikomit, në raport me atë që Moikomi i dha politikës.
(BalkanWeb)