Pak ditë pas hapjes së Muzeut të Spiunazhit, “Shtëpia e Gjetheve”, drejtoresha e institucionit më të ri në kryeqytet e kalonte të gjithë kohën duke hyrë e dalë nëpër dhomat ku gjenden hijet e së shkuarës. Etleva Demollari ende nuk e kishte një zyrë, ende nuk kishte staf. Kishte ardhur në punë në orën 8 të mëngjesit dhe do të largohej në mbrëmje. Për momentin, duhej t’i bënte të gjitha vetë. Të shoqëronte njerëzit, të tregonte historinë, të buzëqeshte! Të gjitha këto nuk ishin aspak problem për të. Ka bërë pikërisht këtë gjë, por në një vend tjetër, shkruan Panorama.

Për vite me radhë, Etleva ka qenë guida e të huajve në Muzeun Kombëtar. Diplomimi i saj në frëngjisht shërbeu në një punë tjetër që ajo mësoi ta dojë rrugës, duke e njohur. Me objektivin e “Shtëpisë së Gjetheve” marrëdhënia nuk është e re; ka qenë pikërisht pavijoni i komunizmit vendi ku Etleva ka kaluar pjesën më të madhe të kohës, për t’u shpjeguar vizitorëve që vinin nga jashtë absurdin e 45 viteve izolim. Me Etlevën folëm duke vizituar të gjitha çimkat e godinës. Edhe për të janë fakte të reja e të panjohura, megjithatë i kishte përvetësuar aq sa për të qenë e dobishme për habinë e të gjithë vizitorëve të rinj që nuk mungonin edhe në një ditë me shi si ajo kur u takuam.

spiunia-1

Pse ishit ju zgjedhja për të drejtuar këtë institucion? Cila ishte puna juaj paraardhëse?
Unë kam studiuar për frëngjisht dhe kam filluar të punoj në vitin 2008 te Muzeu Historik si specialiste muzeologe dhe disa vite më pas nisa si përgjegjëse sektori të programeve edukative, po aty. Mbase sepse nuk kam qenë aq larg “qëllimit”, u përzgjodha aktualisht që të isha në krye të këtij institucioni të ri.

A ishte e nevojshme njëfarë pune paraprake, marrje informacionesh, njohje rrethanash?
Te muzeu unë punova gjatë, si guidë. Kur nisa punën si specialiste muzeologe, bëra paralelisht edhe provimet e historisë për të pasur njohuritë e duhura në punën që po bëja. Sa i përket vendit konkret, patjetër që më duhet të lexoja, së pari, dokumentet që janë ekspozuar këtu. E bëra për vete, por edhe për të qenë e dobishme për vizitorët.

Pse mori këtë drejtim profesioni juaj?
Siç ndodh me të gjithë, së pari, unë aty nisa punë e mandej vazhdova t’i shërbej punës që kisha filluar duke u zhvilluar në studime të ndryshme që nevojiteshin. Unë kam punuar me grupet e huaja si guidë meqenëse zotëroj disa gjuhë, dhe duke pasur këtë avantazh, isha kryesisht për të huajt. Më pas përvojat u plotësuan me pjesën historike, e cila tani po plotësohet me doktoraturën po në Fakultetin e Historisë, për trashëgiminë kulturore.
spiunia-2
Megjithatë, kjo është një përvojë krejt e re, për të gjithë…
Patjetër, është një përvojë e re që do të plotësohet ditë pas dite. Ju e shihni që janë të shumta gjërat që do shtohen këtu përditë. Megjithatë, unë duhet të merrem me njohjen konkrete të të gjitha gjërave që do të hyjnë sepse sa i përket periudhës, në Muzeun Kombëtar janë të gjitha pavijonet, edhe pjesa e komunizmit, ku për vite jemi ndalur më gjatë edhe për shkak të interesit që tregohej.

Cili do të jetë synimi juaj?
Ky muze u kushtohet njerëzve që kanë vuajtur, është një homazh për ta, por vlen edhe për të gjithë shoqërinë. Ne të gjithë mendonim se vëzhgoheshim, por nuk ishte kështu. Kushdo ka kuriozitet për të parë se si ka funksionuar dikur. Prioriteti ynë për njohjen e së kaluarës janë të rinjtë. Duke njohur kohën e shkuar, do mësojnë më shumë për veten.

Ne e ngremë për vete, por interesi mbetet i të huajve dhe me sa po shoh, këto pak ditë ata po e vizitojnë më shumë? Në fakt, është e njëjta situatë me atë që ndodhte te Muzeu Kombëtar. Interesi i të huajve ishte pikërisht për periudhën e komunizmit, rreth asaj kohe pyesnin pa fund dhe ishin të interesuar të mësonin gjithçka. Mendoj që do të jetë njësoj edhe këtu, për ta do të jetë një nga pikat kryesore për të vizituar në Tiranë.
fishat
Ende nuk ka një staf, me sa shoh. Megjithëse është kohë e papërshtatshme për t’u marrë me muzetë, a do të plotësohet në vazhdim?
Është ende herët, por do të plotësohet me të gjitha. Struktura është miratuar, tani do të jetë në fazën e zbatimit. Në njërën nga dhomat e errëta të Muzeut të Spiunazhit, që duket sikur ka ende çimka funksionale brenda, jepej vazhdimisht dokumentari i një gruaje në moshë. U ndalëm aty me Etlevën edhe sepse ajo kishte qenë historia që asaj vetë i kishte ngelur në mendje. Katerina Kristevski punonte si rrobaqepëse në Tiranë. Katerina ishte me origjine rumune. Familja e saj ishte vendosur në Gjirokastër në vitin 1922.

Vetë punonjësit e kësaj shtëpie, dikur, kishin bërë regjistrimet që jepen sot në muze, për të treguar se si ndiqej një i dyshuar e mandej për ta penalizuar me masat më të rrepta për të cilat koha ishte e famshme. Katerina ishte rrobaqepësja më në zë e kohës (vitet ’70), të gjitha gratë e ambasadorëve qepnin fustane tek ajo. Kur nisi të krijonte marrëdhënie me to, për shkak të cilësisë së punës që bënte, Katerina nuk kishte për qëllim të zbardhte se ç’bëhej e ç’flitej në shtëpinë e ambasadorëve. Mirëpo u piketua nga sistemi si një burim i mirë informacioni dhe u rekrutua të ishte në shërbim. Marrëdhënia vazhdonte, copat e reja që vinin nga të gjitha vendet e huaja prej zonjave të ambasadorëve ishin nga më të ndryshmet. Informacionet gjithashtu…

Brenda “Shtëpisë së Gjetheve”
Ndërtuar në vitin 1931, godina fillimisht ka pasur funksionin e një klinike. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, nën pushtimin gjerman, ajo i përkiste Gestapos, ndërkohë që fill më pas, gjatë viteve të para të regjimit të ri, ajo u bë një qendër e Sigurimit (Policia politike) e përdorur për hetime. Nga viti 1950, ajo u bë zyra qendrore e seksionit Teknik dhe Shkencor të Sigurimit. Shtëpia gjendet në qendër të qytetit, në anën e kundërt të Katedrales Ortodokse, pranë sheshit “Skënderbej” dhe Bankës Qendrore të Shqipërisë.

Në qendër të idesë për transformimin e kësaj shtëpie në muze është shfaqja në formën “pars pro toto” të kontrollit totalitar dhe kudondodhjes së tij në një formë origjinale, nëpërmjet përgjimeve dhe spiunimeve elektronike nga vendi ku ato kryheshin. Përveç historisë së Shtëpisë dhe funksioneve të seksionit Teknik dhe Shkencor, muzeu përshkruan fakte dhe dimensione të tjera në lidhje me kontrollin e Policisë Sekrete. Një nga hapësirat e muzeut u dedikohet përgjuesve – mikrofonave të fshehur. Një hapësirë është për “Mikrofonat e gjallë”, informatorët.

Një hapësirë e tretë i dedikohet paradigmës së “Armikut” (objekti i përgjimit), si një mit dhe imazh paranojak, si dhe gjithëpërfshirjes së tij që e bënte të domosdoshëm gjithëpërfshirjen e përgjimit. Një hapësirë e katërt i dedikohet edhe lidhjes midis idesë së armikut të brendshëm dhe armikut të jashtëm, e cila ishte veçanërisht e rëndësishme në Shqipëri për arsye të vetizolimit të saj dhe përshkruan përgjimin kundrejt të huajve. Një tjetër hapësirë tregon ambientet e një dhome ndenjjeje tipike shqiptare të viteve ’70, me dekorime që shihen edhe gjatë hapësirave të dedikuara për përgjuesit dhe të përgjuarit.

Një hapësirë tjetër është laboratori teknik dhe shkencor i seksionit që merrej së shumti me zbulimin e fotove dhe filmimet. Kjo është kurora filozofike e idesë qendrore të muzeut, asaj të kontrollit total. Përveç shfaqjes së objekteve autentike të shtëpisë përmban referenca vizive (pamore) dhe tekstuale të burgut ideal, Panopticonit, dhe nga këtu tek utopia e botës perfekte, e supozuar si shoqëria socialiste, edhe pse mori formën e një burgu në të gjithë vendin. Ka edhe hapësira të tjera që i janë shtuar rrugës idesë qendrore, në mënyrë që të gjitha hapësirat të flasin me imazhe dhe fjalë./panorama

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb