Filmi më i ri i regjisorit Robert Budina, “Katrori i pushtetit” vë në qendër tri gazetare që investigojnë lidhjet e politikës me krimin. Me Ema Andrean dhe Neritan Liçajn, filmi shpërfaq pasojat e mosveprimeve në shoqëri me demokraci të brishta. I xhiruar në formën e një seriali, ai shpërfaq realitete të vështira shqiptare që marrin formë përmes personazhesh që vijnë nga politika, krimi, biznesi dhe media si katër anë katrori.
“Nuk është denoncim është reflektim mbi realitetin, një këndvështrim i brendshëm i realitetit që jetojmë përditë. Është e brendshmja që nuk guxojmë ta themi me zë. Por e kuptojmë shumë mirë. Vjen përmes pasojave e një mosveprimi, çdo të thotë për njeriun të humbë të humbë dinjitetin, çdo të thotë për njeriun të mos reagojë e çdo të thotë për njeriun të pësojë”, tha Budina.
Ndonëse skenat marrin jetë përreth nesh, ato nuk janë ngjarje të vërteta, ose jo në dijeninë tonë, sepse, megjithatë, arti e ka të vështirë ta tejkalojë realitetin.
“Frymëzimi vjen nga realiteti, por nuk ka lidhje direkte me të. Sigurisht që janë institucionet, sepse institucionet ato janë, është bashkia, është qeveria, është policia, gazetarët është krimi. Kemi dhënë përpjekjet e tri gazetareve që përpiqen me çdo kusht të zbulojnë, dhe ta kryejnë profesionin e tyre me përgjegjshmëri dhe përplasen me shumë pengesa. Ne një lloj kupotimi është si do të donim ne ta shihnim median”, tha regjisori Budina.
Me aktorë të njohur që punojnë në Shqipëri dhe jashtë vendit, Katrori i Pushtetit është pasqyrim i mundshëm i shoqërisë, e kalbur dhe e ndritshme.