KAVAJË

Presidenti i Republikës Ilir Meta ka reaguar pas vrasjes në Kavajë ku nga përplasja me armë mes dy grupeve, mbeti viktimë një i pafajshëm dhe u plagosën 4 të tjerë. Meta i shpreh ngushëllimet familjes së të ndjerit dhe kërkon zbardhjen e menjëhershme të ngjarjes.

Ndërsa policia nuk ka ende asnjë informacion zyrtar për ngjarjen, Kreu i Shtetit i kërkon policisë të marrë masat për garantimin e sigurisë publike në vend dhe parandaluar përsëritjen e ngjarjeve të tilla kaq të rënda e tragjike.

“Presidenti i Republikës Sh.T.Z Ilir Meta shpreh shqetësimin e thellë për ngjarjen tepër të rëndë dhe tragjike, të ndodhur sot në qytetin e Kavajës, ku një qytetar i pafajshëm humbi jetën dhe disa qytetarë të tjerë u plagosën.
Presidenti Meta pati një bisedë telefonike me Kryetarin e Bashkisë së Kavajës, z.Isa Sakja dhe i kërkoi t’i përcjellë ngushëllimet dhe solidaritetin e Tij më të sinqertë të afërmve dhe familjarëve të qytetarit që humbi jetën, si dhe u uron shërim të shpejtë të gjithë të plagosurve.
Presidenti Meta kërkon nisjen e menjëhershme të hetimeve për këtë ngjarje të rëndë, zbardhjen e shpejtë dhe të plotë të saj, si dhe vënien para përgjegjësisë të autorëve.
Presidenti Meta thekson domosdoshmërinë e rritjes së gatishmërisë së Policisë së Shtetit dhe agjencive ligjzbatuese, për të marrë të gjitha masat e duhura për garantimin e sigurisë publike në vend dhe parandaluar përsëritjen e ngjarjeve të tilla kaq të rënda e tragjike”, deklaron Meta.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb