Nuk ka kavajas që nuk e gjykon Kavajën. Megjithatë, askush nuk largohet prej saj. Askush nuk largohet dot vërtetë prej saj, edhe atëherë kur largohen fizikisht. Atëherë kur martohen larg saj. Kur emigrojnë. Kur shkollohen më tej. Atëherë kur ëndërrojnë larg saj. Kur kthehen për ta kujtuar. Kur ikin për fare, kur kthehen përjetësisht.

Kavaja është qyteti që mbart njëmijë e një ngjyra brënda gri-së që e karakterizon në çdo dimension. Rrugëve. Mureve. Zërave. Veshëve. Llafeve. Llafet. Llafet! Nuk ka kavajas që nuk gjykon llafet e Kavajës. Pra veten. Llafet e vetes.

Ato llafe, ato që nuk janë aspak legjendë urbane, nuk e lënë Kavajën të heshtë më pak e të dëgjojë më shumë në mënyrë që të nxjerrë prej gri-së së saj, ngjyrat që me shpresë, i ka. Ato llafe kanë një burim të pashtershëm që në fakt, është gangrenë dhe damkë shqiptare në tërësi: injorancën. Por që në fakt, në Kavajë, lulëzon.

Ajo që kurrë nuk i kuptova atij qyteti, është dëshira dhe vullneti i pazakontë për të qëndruar dhe për t’u kavardisur në mediokritetin e vet dhe mitizuar atë me një si biçim tradite që askush s’përpiqet vërtetë ta ndryshojë. Mediokriteti hedh valle tek dy gishtat dhe të gjithë e tregojnë me gisht, por askush nuk i ngre simbolikisht atë të mesit.

Kavajasit flasin për atë qytet si entitet i largët nga vetja, por të gjithë e pranojnë me dashuri se kur të vdesin, duan të prehen atje. Por kavajasit, më parë se të vdesin fizikisht, vdesin disa herë përgjatë jetës së tyre pranë dhe larg qytetit.

Mendërisht – kur lënë mediokritetin të përpijë traditën.

Shpirtërisht – kur lënë injorancën, të perpijë dashurinë.

Intelektualisht – kur largohen prej saj por nuk largojnë dot atë nga vetja.

Imagjinoni ç’punë absurde imazhi bën një qytet që i rrënjos shqiptarëve namin për llogje, dhe jo për mikpritje dhe harmoni në bashkjetesë, llafi bie si në rastin e treguar me hebrenjtë e mbështetur dhe përkrahur. Unë në Kavajë nuk e kam dëgjuar kurrë fjalën jabanxhi. E kam mësuar në Tiranë.

Në Kavajë komshien e ke njësoj si tezen dhe hallën. Dhe kalamajt e lagjies, motra dhe vëllezër. Por nuk qenka më kështu. Në Kavajë ndodhka dhe gjëma. Tek ajo Kavajë që nisi Demokracia. Që skuadra e futbollit quhet Besa dhe tek e cila, që fëmijë na rrënjosin se është qyteti prej të cilit duhet ikur një orë e më parë.

Ëndërrojmë të gjithë për një Kavajë më të mirë. Një Kavajë e lirë është një rini e zhvilluar. Dhe një rini e zhvilluar kupton se seksi është një akt që në mos vjen nga dashuria të paktën vjen nga konsensusi.

Se seksi mund të jetë dhe një temë e hapur bisede dhe jo vetëm llogje të atrofizuara mes shokësh. Se dashuria nuk ështe medoemos zinxhiri mbytës i një rrethi në gisht që 17 vjeç por edhe kërkimi për lumturi.

Po, dashuria ështe te kërkosh lumturinë edhe nëse dështon herën e parë apo të dytë dhe kjo nuk të bën as fajtore, as të përdalë dhe sidomos më pak kavajas e kavajase që më merak ka namin sesa syrin.

Një rini e zhvilluar kupton se ndryshimi nis me reagim. Reagimi sjell ndryshim. Ndryshimi sjell lirinë që sot e kemi pezull në kohë, hapësirë e mendje. Pasi në Kavajë ka llogje por nuk ka komunikim.

Në Kavajë ka qëndrime por s’ka arsyetim. Në Kavajë ka dashuri, ka, por nuk jetohet. Në Kavajë ka ndershmëri por harrohet. Në Kavajë ka respekt por nuk përcillet.

Në Kavajë nuk fitohet por punohet. Nuk lexohet. Por ka lule dhe pastërti. Në Kavaje ka frymë por nuk shpërndahet. Në Kavajë ka krim por nuk tregohet. Çfarë vlen më shumë se një bijë kavaje e lënduar? E vrarë dhe plagosur?!A nuk është ajo dhe ata të gjithë ne?!

Kavaja është Shqipëria e vogël që përzë, me hir e me pahir, qytetarët e saj. E nëse ne që ikëm nuk u larguam dot vërtet prej saj, mbase duhet të rikthehemi aty, në mënyrë që të ikë ajo prej nesh.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: