KAVAJE- Pronësia e një lisi që ndante pronat e tyre, është kthyer në mollën e sherrit të vazhdueshëm mes familjeve të fisit Çelhaka, të cilët sot i kanë tejkaluar të sharat dhe janë përleshur deri në përdorimin e sëpatës e kazmës.

Në sherr janë përfshirë dy kushërinjtë e parë, Qamil Çelhaka dhe Fatmir Çelhaka, e pasi janë konfrontuar fizikisht Qamili ka qëlluar me sëpatë mbi djalin e xhaxhait duke e lënë të vdekur. I plagosur nga përplasja mësohet të ketë mbetur edhe Vilson Isufi, i cili edhe pse jo pjesë e konfliktit pronësor, ka rastisur në vendngjarje dhe dyshohet se ka ndërhyrë për të ndarë dy kushërinjtë.

“Pas një konflikti me mjete të forta, ndërmjet shtetasve Q. Ç. dhe F. Ç., ka mbetur i vdekur shtetasi F. Ç. Gjithashtu ka mbetur i dëmtuar dhe një shtetas tjetër , i cili është dërguar në S.Q.U”, sqaron polica.

Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, ndërsa ka mundur të arrestojë autorin e krimit.

(e.f/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: