TIRANE – Qeveria është tërhequr nga varianti i parë i propozuar në projektligjin “Për lojërat e fatit” që parashikonte se prej fillimit të vitit 2016 në qytetet e Shqipërisë nuk do të kishte më salla të lojërave të fatit apo kazino. E pranishme në shqyrtimin e draftit në Komisionin parlamentar të Ligjeve, zv/ministrja e Financave, Irena Beqiraj pohoi dje se qeveria do të rishikojë afatin për lëvizjen e lojërave të fatit në drejtim të resorteve dhe zonave turistike në periferi të qyteteve.

Ka qenë deputeti i Partisë Socialiste, Pandeli Majko i cili propozoi që ky afat të shtyhet më 1 vit, pra nga 31 janari 2016 që ishte parashikuar deri më 31 janar të vitit 2017, në mënyrë që siç argumentoi ai, të ndihmohen industrialistët. “Jam e sigurtë që kjo periudhë do të rishikohet në mënyrë për të dhënë këtë mundësi që ju z.Majko propozoni”, – deklaroi Beqiraj. Por nga ana tjetër kryetari socialist i Komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafaj pohoi se e vetmja zgjidhje sipas tij për disiplinimin e lojërave të fatit është mbyllja e tyre.

“Çfarë problemi do të kishte për qeverinë nëse ne do t’i mbyllnim tërësisht gjithë këto lojrat e fatit? Për shembull me një moratorium që këtë treg ta disiplinonim përfundimisht”, – tha Xhafaj. Por zv/ministrja e Financave argumentoi se nëse do të vendosej moratorium për lojërat e fatit do të ishte goditje për mijëra të punësuarit në këto biznese. “Nëqoftëse ne do të bënim një moratorium ose do t’i mbyllnim përfundimisht ato, menduam që do të ishte një veprim ose një vendimmarrje le të themi ekstreme dhe industria e lojrave të fatit nuk zhvillohet vetëm në Shqipëri por zhvillohet në një pjesë të mirë të vendeve të Europës dhe ajo që duam të bëjmë me këtë ligj është ta kthejmë më tepër se sa në një plagë sociale ta kthejmë në një mjet argëtimi. Problemi social nuk zgjidhet me masa drastike. Në këtë industri janë investuar para nga bizneset. Marrja përsipër e mbylljes totale të tyre mund të zgjidhte plagën sociale por do të sillte një problem ekstrem si papunësia”, – tha Beqiraj.

Ndërkohë deputetët e PD-së por edhe të PDIU-së u shprehën të pakënaqur nga ky projektligj, që sipas tyre është hartuar në mënyrë preferenciale dhe klienteliste. Por edhe pse i “bllokuar” prej 6 muajsh në Komisionin parlamentar të Ligjeve, drafti arriti dje të miratohet ne parim me votat pro të mazhorancës, ku ra në sy abstentimi i socialistit, Fatmir Xhafaj dhe i deputetit të PDIU-së, Tahir Muhedini kurse demokratët nuk morën pjesë në votim.

DISKUTIMET NË KOMISIONIN E LIGJEVE
FATMIR XHAFAJ: Çfarë problemi do të kishte për qeverinë nëse ne do t’i mbyllnim tërësisht gjithë këto lojrat e fatit? Për shembull me një moratorium që këtë treg ta disiplinonim përfundimisht.
IRENA BEQIRAJ: Nëqoftëse ne do të bënim një moratorium ose do t’i mbyllnim përfundimisht ato, menduam që do të ishte një veprim ose një vendimmarrje le të themi ekstreme dhe industria e lojrave të fatit nuk zhvillohet vetëm në Shqipëri por zhvillohet në një pjesë të mirë të vendeve të Europës dhe ajo që duam të bëjmë me këtë ligj është ta kthejmë më tepër se sa në një plagë sociale ta kthejmë në një mjet argëtimi.
FATMIR XHAFAJ: Është problem financiar apo social për vendet e punës që mbylleshin?
IRENA BEQIRAJ: Problemi social nuk zgjidhet me masa drastike. Në këtë industri janë investuar para nga bizneset. Marrja përsipër e mbylljes totale të tyre mund të zgjidhte plagën sociale por do të sillte një problem ekstrem si papunësia. Me ketë ligj mundohemi ta kufizojmë pa marrë vendim ekstrem. Të ardhurat në vitin 2013 kanë qenë 3.6 miliardë dollarë në 2014-ën 5.4 miliardë lekë. Ligji ndryshon metodën e taksimit. Taksimi do të jetë mbi fitimin bruto, çka do sjellë më shumë të ardhura. Në Tiranë ka 4 licenca bingo dhe 12 kazino. Kryesisht lejen e kanë pasur pa afat. Çdo lojë fati online do jetë e lidhur me njësinë, ne do shohim sa është xhiroja dhe në bazë të saj do të taksohet.
OERD BYLYKBASHI: Pse s’i hiqni të gjitha lojërat e fatit jashtë qyteteve?
IRENA BEQIRAJ: Po heqim kazinotë, kemi lënë bastet sportive me distancë 200 metra.
OERD BYLYKBASHI: Pse ka preferencialitet dhe klientelizëm?
IRENA BEQIRAJ: Kanë 1 vit kohë të lëvizin nga qendra e qyteteve.
TAHIR MUHEDINI: Ju thatë se janë 12 kazino, a mund të më thoni me emra kush ka paguar kush jo?
FATMIR XHAFAJ: Kjo mund të konsiderohet reklamë, le të përgatisë zv/ministrja informacionin dhe mere.
PANDELI MAJKO: Mos është e nevojshme që ta shtyjmë 1 vit? Kjo është ideja ime për ta propozuar këtë edhe për kolegët. Pra për ta shtyrë këtë deri në 31 janar të 2017-ës. Pra industrisë i themi që t’i ke kohë në mënyrë të ngadaltë, normale. Jetojmë në një situatë ku dhe ju si zv/ministre e Financave e dini shumë mirë që bankat pothuajse i kanë bllokuar kreditë. Pra ai që do të investojë do ta ketë pak të vështirë për të bërë këtë lëvizje e kështu me rradhë.
IRENA BEQIRAJ: Mendohej që ky ligj duhej të kishte kaluar le të themi në shkurt apo në mars të 2015-ës dhe 31 janari i 2016-ës ishte gati 1 vit. Tani për arsye që pak a shumë të gjithë i dimë, le të themi për debatin që ka ngjallur ky ligj, interesin që ka pasur, ne sot jemi në nëntor dhe jam e sigurtë që kjo periudhë do të rishikohet në mënyrë për të dhënë këtë mundësi që ju z.Majko propozoni.

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb