TROPOJE

Presidenti  Ilir Meta mori pjesë sot në hapjen e Festivalit të Parë Mbarëkombëtar të “Kcimit të Tropojës”. Në fjalën e tij përshëndetëse në hapje të veprimtarisë, Presidenti Meta falënderoi organizatorët dhe Bashkinë e Tropojës, që janë kujdesur për të ruajtur traditat më të mira kulturore e kombëtare shqiptare, duke ua transmetuar brezave të rinj.


“Për herë të parë në Shqipëri organizohet Festivali i Parë Mbarëkombëtar i ‘Kcimit të Tropojës’ me ansamble nga shumë treva shqiptare si Tropoja, Librazhdi, Plava, Gucia, Hasi, Peshkopia e Burreli. Dua të falënderoj nga zemra Mjeshtrin e Madh Skënder Haklaj, i cili me dashuri dhe me pasion po u mëson brezave të rinj Kcimin e Tropojës. Mjeshtri Haklaj është frymëzuesi, i cili mbolli pemën e krenarisë në bjeshkë dhe po i lë stafetën e kësaj tradite edhe brezit më të ri!


Teksa bota ecën me ritme moderne, dhe globalizmi mënjanon për fat të keq traditat e lashta, Kcimi i Tropojës shpaloset si një pasuri edhe më e çmuar në kulturën dhe traditën e mbarë kombit tonë.


Kcimi i Tropojës është kryevepër e trashëgimisë shpirtërore të gjithë kombit tonë. Isha dëshmitar vetëm pak ditë më parë i faktit se si ky Kcim i Tropojës pati një impakt të jashtëzakonshëm te Presidentët pjesëmarrës në Samitin e Brdo-Brijunit në Tiranë dhe shërbeu edhe më shumë si tregues i vlerave të jashtëzakonshme të kulturës dhe të krenarisë tonë.

Është thelbësore të jemi krenarë dhe të ruajmë këngët, vallet, traditat tona dhe t’i trashëgojmë ato brez pas brezi. Organizimi i festivaleve të tilla është i jashtëzakonshëm për t’i ruajtur dhe për t’i transmetuar këto pasuri”, – tha Presidenti i Republikës, duke u zotuar se do të vazhdojë përpjekjet për regjistrimin e Kcimit të Tropojës në UNESCO.

“Kemi të regjistruar në UNESCO disa nga trashëgimitë tona siç janë Butrinti, Berati, Gjirokastra dhe Isopolifonia. Duhet të punojmë fort për të regjistruar në listat e UNESCO-s pasuri të tjera tonat si Kcimin e Tropojës. Vlerat tona kombëtare duhet të promovohen edhe më tej dhe Kcimi i Tropojës e meriton të bëhet pjesë e trashëgimisë kulturore botërore. Mbështetja ime si President do të vazhdojë të jetë e pakufishme dhe do të vazhdojmë impenjimin dhe përpjekjet tona në bashkëpunim me ju dhe të gjithë institucionet për ta patur Kcimin e Tropojës prioritet të rëndësishëm për regjistrimin sa më shpejt në UNESCO.

Kcimi i Tropojës është një pasuri kombëtare, por gjithashtu shpalos vlerat e gjithë trevave shqiptare, kaq patriotike, kaq krenare dhe kaq fisnike si Alpet tona.

Festivali i Parë Mbarëkombëtar i Kcimit të Tropojës është një ngjarje madhore për ruajtjen dhe vazhdimësinë e gjithë këtyre vlerave tona mbarëkombëtare me të cilat do krenohemi gjithmonë brez pas brezi. Ndaj ju uroj suksese të gjithëve, në mënyrë të veçantë fëmijëve, vajzave dhe djemve, të rinjve e të rejave”, – tha Presidenti  Meta.

(Balkan Web)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb