Një lajm tepër i rëndësishëm për vendin tonë ka qenë fakti që K’cimi i Tropojës është pranuar në UNESCO.
Historiania Armanda Hysa, e ftuar në News 24 tha se K’cimi ishte një diplomaci kulturore e suksesshme. Ajo shtoi se pranimi i K’cimit të Tropojës në UNESCO është edhe një krenari kombëtare.
Ndërsa, kërkuesja shkencore në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë Rovena Vata tha se pranimi i K’cimit në UNESCO është ngjarje historike. Ajo tha se kjo valle bashkon të gjithë shqiptarët, kudo ata jetojnë.
Armanda Hysa, historiane: Kjo ishte një diplomaci kulturore e suksesshme. Sa më shumë vlera historike të kesh në UNESCO, aq më i nderuar je si komb. Për vende si ne, është çështje kulturore, mund të përdoret edhe për krenari. K’cimi i Tropojës në UNESCO është krenari kombëtare. Koreografi Skënder Haklajt ka bërë një punë të shkëlqyer. Shqipëria ka pasur tre pranime në UNESCO. Ne jemi një grup ekspertësh të mirë, që ia kemi marrë dorën përgatitjes së dosjeve, për t’u pranuar nga organizata ndërkombëtare kulturore të mirënjohura. Edhe Lahutën e kemi dorëzuar si dosje. K’cimi i Tropojës ka qenë një dosje e mbushur plot.
Rovena Vata, kërkuese shkencore në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë: Kjo është një festë kombëtare për ne, pasi përfaqësohet në arenën ndërkombëtare flamuri ynë kuq e zi. Është ngjarje historike. Procesi nuk ka qenë fare i lehtë. Kemi bërë pyetësor për banorët e Tropojës sesi njihet ky element, si aplikohet ky element. Kemi punuar në kohë pandemie. Në të gjithë Shqipërinë e njohin K’cimin e Tropojës. Shumica e qytetarëve thoshin se është kërcimi më i bukur që kemi. K’cimi i Tropojës ka bërë gjithë Shqipërinë bashkë. E veçanta e K’cimit është gjithëpërfshirës, nuk përjashton asnjë. K’cimi është i lirshëm, ka kërcim edhe për çdo moshë.
(d.xh-Balkanweb)