Matja e varfërisë në Shqipëri është e diskutueshme për shkak të statistikave të mangëta, por Komisioni Europian duke ju referuar Bankës Botërore raportoi se, shkalla e varfërisë në Shqipëri arriti në vitin 2018 në 35.2%.


Grupet e raportuara në rrezik më të lartë të varfërisë janë të papunët, njerëzit në zonat rurale, të moshuarit, gratë e prekshme, personat me aftësi të kufizuara, si dhe romët dhe egjiptianët.


Niveli më i lartë i varfërisë është vërejtur në verilindje të vendit. Komisioni Europian vë në dukje se sistemi i mbrojtjes sociale nuk siguron mbrojtje adekuate të atyre në nevojë. Pagesat e papunësisë në Shqipëri mbulojnë vetëm një pjesë të vogël të të papunëve të regjistruar (2.7%).


“Reforma e skemës së ndihmës ekonomike u aplikua në të gjithë vendin në janar 2018 për të përmirësuar efikasitetin dhe për të zvogëluar mashtrimin. Ndërsa të dhënat në dispozicion (nëntor 2018) tregojnë rritje të familjeve të reja përfituese, teksa mungojnë të dhënat se është duke u arritur përmirësimi i targetimit të atyre që kanë nevojë.

Pesha financiare e skemës është vetëm 0.025% e PBB (2018). Efektiviteti i skemës është e dyshimtë, pasi kompensimi mbetet nën kufirin e varfërisë së skajshme dhe vetëm një pjesë e vogël e personave që jetojnë në varfëri mbulohen” vuri në dukje Komisioni Europian në lidhje në analizën e fundit për zhvillimet ekonomike në Rajon.

Një tjetër program i dedikuar promovimit  të punësimit mbuloi 21% të punëkërkuesve me aftësi të kufizuara të regjistruara në vitin 2018. Shifra megjithatë nuk përfaqëson persona me aftësi të kufizuara joaktive që kërkojnë mbështetje financiare.

Një fushë veçanërisht sfiduese janë shërbimet e kujdesit social, të cilat janë të pazhvilluara, të pa investuara dhe mungojnë përgjithësisht.

Pensionet janë pothuajse universale, por të ulëta dhe mbulimi i sigurimeve shëndetësore është shumë i ulët. Sistemi i pensioneve është  i segmentuar në mes të zonave rurale dhe urbane dhe pensioni mesatar përfaqëson 37% dhe 65% e pagës mesatare (2017). Raporti i kontribuuesve ndaj përfituesve është rritur vazhdimisht nga 0.98 në vitin 2013 në 1.21 në vitin 2017, por skema e sigurimeve shoqërore vazhdon të jetë në deficit./Monitor

Etiketa: