Flamur Noka dhe Eduard Shalsi u përfshinë nga debatet sot në Kuvend. Shkak u bë një replikë e socialistit me kryetarin e PD, Sali Berisha. Shalsi tha nga foltorja e Kuvendit gjatë seancës parlamentare se Berisha i kishte të gjitha mundësitë të tërhiqej nga jeta politike dhe t’i hapte rrugën dikujt tjetër. Gjithashtu, deputeti i PS tha se shumica e grupit të PD nuk ndajnë të njëjtat pikëpamje me kryedemokratin.
Në përgjigje, Sekretari i Përgjithshëm i PD, Flamur Noka tregoi pse Berisha nuk replikon me Shalsin. “I kërkova doktorit të bënte replikë, nuk bëhet replikë me atë tha se është i vetmi që i ka mbjellë flokët dhe e ka asfalt kokën, prandaj nuk i mbijnë as flokët, nuk ka mend ky njeri”, tha Noka.
Debati
Eduard Shalsi: Berisha i kishte të gjitha mundësitë që të tërhiqej nga jeta politike dhe t’i hapte rrugën dikujt prej jush. Unë e di se ça mendoni për Berishën pjesa më e madhe prej jush. Berisha është një rudiment politikë dhe ky rikthim është konfirmim i dështimit të tij politikë. E humbe shansin Sali dhe e kuptoj dhe marazin dhe pikëllimin çdo të thotë në moshën tënde që të ballafaqohesh me disa të vërteta që as i kishe menduar. Jeni të zgjuar për të kuptuar se koha e Saliut ka perënduar njëherë e mirë. Saliu la një mal me borxhe ndaj shtresave në nevojë. Më vjen keq që duartrokisni për rikthimin e tij, por lidershipi ka disa kualitete dhe një nga ato është që do kurajë dhe ato që mendon ti përputhësh me ato që bënë dhe ato që thua. Vazhdon mban peng një grup parlamentar dhe një popull opozitar, s’je më përfaqësues i tyre. Mbetesh tashmë një rudiment politikë.
Flamur Noka: I kërkova doktorit të bënte replikë, nuk bëhet replikë me atë tha se është i vetmi që i ka mbjellë flokët dhe e ka asfalt kokën, prandaj nuk i mbijnë as flokët, nuk ka mend ky njeri. Asfalt kokën. Je i vetmi që tre herë i ke mbjellë flokët dhe nuk të mbijnë se e ke kokën rrafsh.
(BalkanWeb)