STRASBURG- Organi ekezekutiv i Bashkimit Evropian ka propozuar që vendet e BE-së të marrin 20,000 refugjatë gjatë dy vjetëve të ardhshëm. Megjithatë, Komisioni Evropian i ka dhënë Britanisë, Irlandës dhe Danimarkës opsionin që të mos pranojnë refugjatë.

Italia dhe shtete të tjera në jug të Evropës kanë kërkuar ndihmë nga BE-ja për të trajtuar rrjedhën e madhe të emigrantëve nga Afrika Veriore, që bëjnë përpjekje të arrijnë Evropën përmes Detit Mesdhe. Pas propozimit të sotëm, presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, ka shkruar në Twitter se “asnjë vend nuk duhet të lihet i vetëm për të adresuar presionin e madh të migracionit”.

Sipas kuotave që bazohen në madhësinë e vendit, prodhimin ekonomik dhe të tjera, Gjermania, Franca dhe Italia do të marrin shumicën e emigrantëve. Britania, Danimarka dhe Irlanda kanë përjashtime për shkak të çështjeve që kanë të bëjnë me azilin, imigracionin, vizat dhe kontrollin e kufijve të jashtëm, që bazohen në protokollet e Marrëveshjes së Lisbonës.

Propozimi formal i Komisionit do t’iu dorëzohet qeverive të BE-së në fund të muajit.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: