Komisioni Evropian ka rekomanduar sot liberalizimin e vizave me Bashkim Evropian për Kosovën. Lajmi u konfirmua nga ministri i Integrimeve Europiane. Çollaku ka shprehur falenderime për secilin vend që ka mbështetin Kosovën.

Ndërsa eurokomisioneri Johannes Hahn tha se rekomandimi për liberalizimin e vizave për Kosovën, është vendim i merituar.

“Më në fund, ia arritëm të përmbushim edhe një qëllim tjetër për Kosovën. Ju uroj nga zemra të gjithëve për propozimin e sotëm të Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës”, deklaroi Çollaku në facebook.

Ai shton se kjo është një tjetër ditë historike në procesin e integrimit evropian.

“Nga sot po fillon të hapet horizonti evropian para kosovarëve. Ky vendim është rezultat dhe konfirmim i përmbushjes së suksesshme të kritereve të udhërrëfyesit, rezultat i punës së përbashkët të qeverisë, kuvendit dhe institucioneve të pavarura”.

Ministri thekson se mbesim të përkushtuar që ta çojmë këtë proces deri në fund sa më shpejt. “Vendimi i Komisionit Evropian, vetëm e përforcon edhe më shumë bindjen time, se qytetarët e Kosovës do të udhëtojnë pa viza gjatë këtij viti. Prandaj, duke qenë plotësisht të vetëdijshëm për rëndësinë që ka një gjë e tillë për secilin nga ne, do të punojmë maksimalisht që kjo dite të vjen sa më shpejt. Por sot, të gjithë kemi arsye të ndihemi krenar dhe të gëzuar sepse izolimi ynë mbetet vetëm një kujtim i hidhur i së kaluarës”, deklaroi Çollaku.

Vendimi është dhënë pas një diskutimi të kolegjiumit të komisionerëve lidhur me atë se a janë plotësuar standardet për liberalizimin e vizave.

Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Mina Andrevas, deklaroi mbrëmjen e djeshme se “kolegjiumi i komisionerëve nesër do të diskutojë gjendjen e fundit të Kosovës lidhur me plotësimin e standardeve për liberalizimin e vizave, për të parë nëse duhet apo nuk duhet bërë propozimin legjislativ për liberalizimin e vizave për Kosovën”. Sipas saj, vendimi është i pashmangshëm nëse të gjitha standardet janë plotësuar.

HYSENI: ÇDO QYTETAR KOSOVAR DO KETË NJË PASAPORTË BIOMETRIKE
Në një konferencë me komisionerin Avramopoulos, Ministri i Brendshëm i kosovës, Skënder Hyseni tha se Kosova do të bëjë ç’është e mundur që të përfundojë pasaportat biometrike.

“Ne do mundësojmë për qytetarët tanë pasaporta biometrike. Çdo qytetar kosovar do ketë një pasaportë biometrike. Ndërsa sa i përket Spanjës, e cila nuk e ka njohur ende Kosovën, nuk e di si do funksionojë me ta, varet nga autoritetet e Spanjës. Presim respekt prej tyre sepse të gjithë qytetarët kosovarë presin të lëvizin lirë. Ne po luftojmë t’i bëjmë sa më shpejt këto pasaporta biometrike”, tha Hyseni.

Përsa i përket mosnjohjes së pavarësisë nga ana e Spanjës, komisionari Avramopoulus tha se do të zgjidhet nga autoritetet spanjolle. “Kemi besim tek autoritetet spanjolle dhe jemi të bindur se ata dinë si të përballen me çështje të tilla”, tha Avramopoulus.

Korrespodenti i “Kohës Ditore” në Bruksel ka pyetur Komisionerin për Migrim, Çështje të Brendshme dhe Shtetësi, Dimitris Avramopoulos se a ka gjasa që shtetasit e Kosovës të mund të lëvizin lirshëm pa viza në zonën Schengen deri në muajin qershor, raporton Koha.net.

“Avramopulos nuk e ka pohuar një gjë të tillë, por as e ka mohuar”, ka thënë Palokaj.

Në rastet e shteteve tjera të Ballkanit Perëndimor, nga momenti i aprovimit të rekomandimit për lëvizje pa viza e deri në miratimin e rekomandimit, kanë kaluar deri në 6 muaj.

THAÇI
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka reaguar menjëherë për rekomandimin e liberalizimit të vizave për Kosovën nga Komisioni Evropian, ndërsa theksoi se ky ishte një vendim i merituar. Me anë të një postim në rrjetin social “Facebook” Thaçi ka shkruar se pas shumë dekadave të izolimit, nuk do të ketë më pritje para ambasadave dhe nuk do të ketë më refuzime të vizave. “Nuk kemi fituar dhuratë, por kemi merituar liberalizimin me punën tonë të përbashkët. Kur punojmë bashkë, asnjë kufi nuk na ndal. Urime liberalizimi sot, urime edhe për UEFA dje. Javë historike”, ka shkruar Thaçi.

KRYEMINISTRI MUSTAFA
Kryeministri Isa Mustafa deklaroi se tani qytetarët e Kosovës janë të barabartë me qytetarët e tjerë të BE-së. Pas rekomandimit të Komisionit Europian që qytetarëve të Kosovës t’iu hiqen vizat, Mustafa tha se është ditë e vonuar por e merituar dhe historike. ‘Është një moment historik, është një ditë mund të them pak e vonuar por është një ditë shumë e merituar e qytetarëve të Kosovës sepse kjo është rezultat i përpjekjeve të të gjithëve, edhe atyre që sot nuk janë gjallë dhe që nuk janë me ne por që janë flijuar për këtë vend dhe të gjithë atyre që kanë punuar për lirinë dhe pavarësinë dhe për ndërtimin e institucioneve të Kosovës. Kjo na mundëson tani që ta ndjejmë vetën të barabartë me qytetarët e tjerë europianë, që mos ta ndjejmë më vetën të izoluar”, tha Mustafa për RTK-në.

ZBOGAR
Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zbogar ka thënë se ende nuk është caktuar data e lëvizjes së lirë të kosovarëve, nëse vendet anëtare i thonë po rekomandimit të BE-së për heqjen e vizave. Ai nuk ka mundur të pohojë nëse kjo do të ndodhë edhe këtë vit. Zbogar ka thënë se duhet të ratifikohet marrëveshja për demarkacionin me Malin e Zi para hyrjes në fuqi të udhëtimit pa viza. Po ashtu, ka kërkuar që kosovarët të luftojnë edhe korrupsionin. Sakaq, në një konferencë për media tha se lidhur me procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën theksoi se ndihet shumë i lumtur që erdhi kjo ditë e rëndësishme për këtë shtet. “Jam shumë i lumtur që kjo ditë erdhi”, u shpreh Zbogar. Ai po ashtu tha se i ndihet i lumtur që në këtë ditë kaq të rëndësishme ndodhet në Kosovë. “Edhe qeveria, edhe shoqëria civile, institucionet dhe të gjithë duhet të jeni krenar për këtë projekt kaq të rëndësishëm që e arritët”, tha ai, duke shtuar se nuk ka qenë rrugë e lehtë.

AMBASADORI DELAWIE
Ndonëse më vonë se të tjerët, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Greg Delawie, ka zgjedhur Twitterin për ta uruar shtetin e Kosovës për marrjen e rekomandimeve për heqjen e vizave nga Komisioni Europian. Delawie ka shkruar në Twitter se ShBA do të festojë më Kosovën lajmin për vizat, duke e shpërndarë paralajmërimin e përfaqësueses për Politikë të Jashtme të Bashkimi Europian dhe zëvendës kryetares së Komisionit Evropian, Federica Moghereini, për vizitën që kjo e fundit do t’ia bëjë Kosovës nesër.

LUNACEK
Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Ulrike Lunacek ka uruar qytetarët e Kosovës për rekomandimin e liberalizimit të vizave nga Komisioni Evropian. Lunacek në një postim në Facebook ka thënë se sot është ditë gëzimi për Kosovën, si dhe është një hap që do t’i japë fund izolimit të gjatë dhe të papranueshëm të qytetarëve të Kosovës.

“Ditë gëzimi për Kosovën! Drita e gjelbër për liberalizimin e vizave për Kosovën do t’i japë fund izolimit të gjatë të qytetarëve kosovarë! Drita e gjelbër e Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave që pritej për një kohë të gjatë, sjell gëzim te qytetarët kosovarë dhe për të gjithë ne që e kemi përkrahur për shumë gjatë udhëtimin pa viza për shtetin më të ri evropian. Është një moment i ri dhe i mirë edhe për procesin integrues në Kosovë. Ky hap i pritur gjatë do të çojë drejt përfundimit të izolimit të papranueshëm të qytetarëve të Kosovës, që prej kur liria e udhëtimit gëzohet nga qytetarët e të gjitha vendeve të regjionit që nga fundi i vitit 2010”, tha Lunacek.

ERMIRA MEHMETI
Ish-deputetja e Bashkimit Demokratik për Integrim Ermira Mehmeti ka uruar për marrjen e rekomandimit pozitiv të Komisionit Evropian ku qytetarët e Kosovës do të mund të lëvizin lirshëm nëpër shtetet e BE-së. Me anë të një mesazhi në rrjetin social ‘Facebook’, Mehmeti shkruan se ky akt i Komisionit Evropian mundësoi rrëzimin e murit të fundit të izolimit të shqiptarëve nga Evropa. “Ra muri i fundit i izolimit te shqiptareve nga Europa! Orientimi yne perendimor po merr formen dhe kuptimin e plote. Gradualisht por sigurt po kthehemi aty ku natyrshëm përkasim, ne familjen e madhe te popujve te qytetëruar europiane e perendimore. Urime Kosove!”, citohet në mesazhin e Mehmetit.

RAPORT I KE PER KOSOVEN
Komisioneri për Migracion, Punët e Brendshme, Dimitris Avramopoulos ka thënë sot se ka ndjekur me angazhim propozimin për heqjen e vizave për popullin e Kosovës me pasaporta biometrike.

“Ky është rezultat i punës së madhe dhe përpjekjeve të suksesshme të autoriteteve të Kosovës arritjen e reformave të vështira në fushën e drejtësisë dhe punëve të brendshme dhe më gjerë, duke ndikuar në fusha të tilla si sundimi i ligjit dhe reforma në drejtësi. Unë e di se sa e rëndësishme udhëtimi pa viza për popullin e Kosovës dhe jam shumë i kënaqur me progresin e arritur. Shpresoj se Parlamenti Evropian dhe Këshilli do të miratojë propozimin tonë shumë shpejt.”, ka thënë Avramopoulos transmeton Gazeta Express.

Në raportin e sotëm të progresit, Komisioni konfirmon se Kosova ka plotësuar të gjitha kërkesat e udhërrëfyesit të tij për liberalizimin e vizave, në kuptimin që nga dita e miratimit të këtij propozimi nga ana e Parlamentit Evropian dhe Këshillit, Kosova do të ketë ratifikuar marrëveshjen e kufirit me Mali i Zi dhe forcuar forcuar rrugën në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Ka zbatuar të gjitha kërkesat e paraqitura në të këto katër blloqet e udhërrëfyesit të vizave, si dhe ri-integrimin dhe ri-pranimin, të cilat do të monitorohen në mekanizmin e post-vizave dhe liberalizimit, Procesin e Stabilizim-Asociimit dhe, nëse është e nevojshme, me anë të ad hoc të ndjekin mekanizma të tjera, transmeton Gazeta Express.

Pasi propozimi është miratuar nga Parlamenti Evropian dhe Këshilli, populli i Kosovës me pasaporta biometrike do të mund të udhëtojë pa viza për qëndrime të shkurtra deri në 90 ditë për të gjitha vendet anëtare të BE-së me përjashtim të Irlandës dhe Mbretërinë e Bashkuar, si dhe katër vendet në zonën Shengen (Islanda, Litenshtajni, Norvegjia dhe Zvicra). Qytetarët e BE-së tashmë mund të udhëtojnë në Kosovë pa viza.

Kushte të tjera të hyrjes për qasje në zonën Shengen do të vazhdojnë të zbatohen, duke përfshirë edhe nevojën për të qenë në gjendje për të provuar mjete të mjaftueshme financiare dhe qëllimin e udhëtimit. Heqja e vizave nuk parashikon të drejtën për punë në BE.

Duke marrë parasysh diskutimet e fundit me shtetet anëtare në politikën e vizave të BE-së në tërësi, Komisioni sot ka propozuar për të forcuar këtë mekanizëm pezullimi për ta bërë më të lehtë për shtetet anëtare për të njoftuar rrethanat të cilat çojnë në një pezullim të mundshëm dhe që i mundëson Komisionit për të shkaktuar mekanizmin me iniciativën e vet.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: