Zënia e një vendi titullari menjëherë tek Malaga nga ana e Keidi Bares, i ka habitur të gjithë për mirë, tek klubi spanjoll që lufton të ngjitet në La Liga. Në një artikull nga “ElDesmarque.com” për fierakun, ai shpjegon rrugëtimin e vështirë në 11 vitepër të arritur deri në këto nivele të larta.

“Që në një moshë të vogël, e kisha të qartë në mendje se doja të shkoja në nivele të larta të futbollit. Ende shpresoj që kjo të ndodhë. Mendoj se po i bëj gjërat mirë, dhe dua të vazhdojë kështu. Shqipëria është një vend i vogël, dhe shumë pak lojtarë luajnë jashtë shtetit. Nga atje jam larguar 11-vjeç. Shkova në Greqi për katër vite, dhe familja qëndroi në Shqipëri.

Më pas, u riktheva sërish në vendin tim, për të ardhur më pas në Spanjë. Ku kanë kaluar 6 vite. Në shtëpi që i vogël më kanë ngulitur në mendje se për të pasur një jetë të mirë, do duhej të luaja jashtë. Kjo më ka bërë mirë, dhe më ka bërë më të pjekur, por ka vështirësitë e veta, sepse je gjithmonë larg shtëpisë dhe familjes. Mbaj mend kur u largova nga shtëpia me lot në sy, por kështë e ka jeta. Futbolli është sakrificë” – shprehet fillimisht Bare.

Më pas, ai tregon si erdhi në Madrid tek Atletiko, dhe vendimin për të kaluar tek Malaga. “Që i vogël kam luajtur në rrugë. Aty më pa një trajner dhe i tha babait tim që të më çonte tek ai. Më pas, shkova në Greqi tek Panathinaikosi, por nuk mund të luaja prej dokumentacionit. Nuk e dija se do shkoja tek Atletiko, por më thirrën për një testim, dhe më në fund shkova atje. Takova idhullin tim, Fernando Torres. Ishte sikur isha zgjuar nga një ëndërr. Më trajtuan shumë mirë atje.

Këtë verë vendosa të vij këtu. Nga Atletiko nuk më thanë që të ikja, kisha edhe një vit kontratë, por unë nuk kënaqem vetëm me diçka, me të qenurit në një ekip dhe kaq. Tani jam në skuadrën e parë falë trajnerin, dhe duam të shkojmë shumë larg. Është edhe ëndrra ime, e do arrij me shokët e skuadrës dhe trajnerin. Më kanë mësuar gjithmonë me këtë frymë. Babain e kam gjithmonë mbrapa duke më thënë se duhet të punoj akoma më fort, për të shkuar më larg” – shprehet Bare.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: