Belind Këlliçi, anëtar i Kryesisë së PD-së, i ka drejtuar një thirrje qytetarëve për t’iu bashkuar protestës së opozitës para Bashkisë së Tiranës.

Këlliçi, përmes një deklarate, duke iu referuar edhe vendimit të Apelit të GJKKO-së ndaj ish-drejtorëve të Bashkisë së Tiranës të përfshirë në atë që njihet si skema ‘5D’ që e konsideron si një grup të strukturuar kriminal, shprehet se këta vetëm me kompaninë 5D, kanë vjedhur të paktën 30 milionë euro tendera publikë, përmes 45 proçedurave tenderuese, në harkun kohor të 7 viteve.

“Ky është një fakt që ne e kemi bërë publik dhe kallëzuar në SPAK që në muajin prill të vitit 2023, vijojmë e përsërisim prej 10 muajsh nga kjo foltore si dhe prej 15 javësh kjo është kryefjala e protestave para Bashkisë Tiranë.

Fakti që Gjykata i kërkon thellimin e hetimeve prokurorëve të SPAK, dëshmon fatkeqësisht atë që Partia Demokratike ka thënë prej kohësh: Kjo është drejtësi me regji!

Ky vendim është një kthesë vendimtare për fatet e hetimit dhe për zbardhjen e së vërtetës të hajdutëve në bashkinë Tiranë. Nuk ka shqiptar që e beson se Erion Veliaj nuk dinte gjë dhe se drejtorët hajdutëronin pa dijeninë e tij.

Gjykata në vendimin e saj është shprehur se përpos trajtimit të dosjes 5D si një Grup i Strukturuar Kriminal, Prokuroria e Posaçme (SPAK) duhe të hetojë edhe deklarimet e shtetases Jona Bejko, e cila e cilësonte ‘lali Erin’ si pronarin faktik të hotelit 50 milionë euro në Durrës.

Pra thënë shkurt e qartë, ish zv. Kryeministri Arben Ahmetaj e cilëson Erion Veliajn si pronarin faktik të inceneratorit Tiranë, punonjësja e 5D Jona Bejko e cilëson Erion Veliajn si pronarin faktik të hotelit 50 milionë euro në Durrës, kurse Altin Dumani dhe SPAK, ende refuzojnë të bëjnë detyrën, por mbi të gjitha refuzojnë të zbatojnë edhe vendimet e Gjykatës Speciale Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.

Kolegët e Erionit në SPAK e kanë të kotë edhe show-n e sotëm me Ilir Beqen, i cili në vend që të arrestohej për abuzimin, vjedhjen e qindra milionë eurove dhe shkatërrimin e sistemit shëndetësor në Shqipëri, u arrestua pikërisht sot për disa fatura restorantesh dhe vetëm për të hequr vëmendjen nga vendimi i djeshëm për dosjen 5D dhe kreun e këtij Grupi të Strukturuar Kriminal Erion Veliaj”, tha Këlliçi.

Sipas tij, nuk ka drejtësi të pjeshme, drejtësi me regji, por vetëm drejtësi që i sheh të gjithë të barabartë përpara ligjit.

“Ne kemi vetëm një synim: Drejtësi për qytetarët, shpëtim për Tiranën dhe hajdutët para ligjit”, tha Këlliçi.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb