Drejtuesi politik i Partisë Demokratike për Tiranën, Belind Këlliçi, ka shpallur një iniciativë të re, të quajtur Paketën e Dhembshurisë, si pjesë e angazhimeve të PD për të luftuar varfërinë dhe për të përmirësuar kushtet e jetesës për shtresat më të varfra të shoqërisë.
Në një postim të tij në rrjetet sociale, Këlliçi thekson se, edhe pse Partia Demokratike beson në tregun e lirë, konkurrencën dhe meritokracinë, këto parime nuk mund të funksionojnë nëse qytetarët jetojnë nën minimumin jetik, pa siguri financiare dhe mjekësore. Ai vëren se aktualisht, shumë njerëz po përballen me varfëri ekstreme dhe pa shpresa për të ardhmen, ndaj PD angazhohet për ndërhyrje të menjëhershme për të adresuar këtë situatë.
Paketa e Dhembshurisë, siç e përshkruan Këlliçi, përfshin disa masa konkrete: garantimin e minimumit jetik për çdo qytetar, rritjen e pensioneve dhe ndihmën për çdo familje që ka nevojë. Ai e cilëson këtë paketë si një reagim ndaj politikës së kryeministrit Edi Rama, duke akuzuar atë se ka favorizuar pasurinë personale dhe të atyre që e rrethojnë, ndërsa ka lënë një pjesë të madhe të popullsisë në varfëri dhe pa mundësi për një jetë më të mirë.
Postimi i drejtuesit politik të PD për Tiranën, Belind Këlliçi:
Paketa e Dhembshurisë!
Partia Demokratike beson tek tregu i lirë, konkurrenca dhe meritokracia. Por asnjëra nga këto fjalë nuk merr kuptim nëse qytetarët jetojnë nën minimumin jetik, në kushte të mjerueshme, pa siguri financiare e as mjekësore.
Duke marrë parasysh këtë gjendje emergjence të varfërisë, Partia Demokratike zotohet të ndërhyjë menjëherë me Paketën e Dhembshurisë.
Paketa e Dhembshurisë garanton minimumin jetik, pensione më të larta dhe ndihmë konkrete për çdo familje në nevojë.
Asnjë nga këto pika nuk mund të realizohet nga Edi Rama, i cili ka dëshmuar në 12 vite se ka prioritet pasurimin e vet dhe të banditëve rrotull vetes, duke mbajtur shtresa të gjëra të shoqërisë në zgripin e mjerimit.
Kujdesi për më të dobëtit nuk është lëmoshë, është drejtësi dhe dinjitet.