Drejtuesi politik i Partisë Demokratike për qarkun e Tiranës, Belind Këlliçi, ka prezantuar sot dy kandidatet për deputete në njësinë numër 9 të Tiranës: Dhurata Çupin dhe Edith Harxhin. Këlliçi nënvizoi se këto dy zonja janë figura të respektuara dhe meritojnë të përfaqësojnë demokratët dhe shqiptarët në Kuvendin e Shqipërisë.
Në postimin e tij, Këlliçi ka bërë edhe një krahasim mes Partisë Demokratike dhe kundërshtarëve politikë në këtë zonë. Ai ka theksuar se përballë modeleve të qytetarisë, transparencës dhe përgatitjes që ofron PD, në njësinë 9 është kandidate e PS Ogerta Manastirliu, një figurë që, sipas tij, ka shkaktuar skandale të shumta në sektorin e shëndetësisë dhe që ka luajtur rol në braktisjen e Shqipërisë nga qytetarët. Këlliçi ka shtuar se, pas dështimeve në shëndetësi, Manastirliu është angazhuar në sistemin e arsimit, ku, sipas tij, ka vazhduar me politikën e saj shkatërruese.
Ai përfundoi duke shprehur angazhimin e Partisë Demokratike për të ofruar një qeverisje të denjë për shqiptarët dhe ka theksuar se kandidatë si Dhurata Çupi dhe Edith Harxhi janë të gatshëm të sjellin një ndryshim të vërtetë dhe të respektuar për qytetarët e Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë.
Postimi i drejtuesit politik të Tiranës, Belind Këlliçi:
I privilegjuar që do të jem në drejtimin e fushatës elektorale në Njësinë nr.9 në Tiranë, sot pata nderin të prezantoj edhe kandidatet për deputete të Partisë Demokratikë në këtë njësi.
Deputetja Dhurata Çupi dhe Anëtarja e Kryesisë Edith Harxhi, dy zonja të nderuara që meritojnë përfaqësimin e demokratëve dhe të gjithë shqiptarëve në Kuvend.
Përballë modelit tonë të qytetarisë, përgatitjes dhe transparencës me zgjedhësit, fatkeqësisht në këtë zonë kemi Ogerta Manastirliun.
Fatkeqësisht për socialistët dhe shqiptarët përballë nesh është shkaktarja e skandaleve të njëpasnjëshme në shëndetësi, e cila sot ndodhet në lëngim të plotë dhe në çdo sondazh është ndër arsyet kryesore të braktisjes së Shqipërisë nga shqiptarët.
Pas bëmave dhe gjëmave në shëndetësi, Manastirliu u katapultua në sistemin e arsimit, për ta rrënuar me të njëjtën verbëri.
Partia Demokratike zotohet t’u japë një qeverisje të denjë shqiptarëve. Dhe zotimi ynë ka zërin dhe imazhin e kandidateve dhe kandidatëve tanë të respektuar në komunitet dhe mbarë vendin.
(Balkanweb)