TIRANE– Partia Demokratike akuzon kreun e LSI-së, Ilir Meta, se po skenar kriminal me strukturat e shtetit dhe banditët për të mos humbur zgjedhjet lokale në Vorë. Në një deklaratë për mediat, demokrati Keltis Kruja është shprehur se po shkelet çdo ditë ligji në Vorë, sipas tij me urdhër të Metës, duke ushtruar dhunë e presion për votën e qytetarëve për 21 qershorin.

Duke u shprehur se “Meta kërkon me çdo kusht të marrë Vorën”, Kletis Kruja tha se kreu i LSI ka frikë nga humbja në këtë bashki.

Më tej, Kruja tha se PD i bën thirrje Prokurorisë të hetojë urgjentisht të gjithë personat e përfshirë në këtë skenar kriminal.

“Ne kemi bërë kallëzim penal për shefin e komisariatit të Vorës, që është kthyer në mashën e Ilir Metës në këtë zonë, dhe kërkojmë nga prokuroria të lëvizë me shpejtësi për të garantuar ligjin. I kërkojmë përfaqësuesve të OSBE-ODIHR, BE dhe SHBA, prani sa më masive për regjistrimin e këtyre zhvillimeve që janë rekorde të zeza për standardet e zgjedhjeve të lira e të ndershme”, tha Kruja.

DEKLARATA E PLOTË E KELTIS KRUJËS:
Çdo ditë, në sytë e mbarë opinionit publik, Ilir Meta me heshtjen e miratimin e ortakut të tij Rama, po zbaton në Vorë një skenar kriminal, të hartuar në zyrat e LSI, dhe të vënë në jetë në bashkëpunim të ngushtë mes banditëve të skeduar të sjellë enkas nga brenda e jashtë vendit, me strukturat e kriminalizuara të shtetit që shkelin ditë përditë ligjin për Ilir Metën.

Pjesë e këtij skenari kriminal të Ilir Metës, në traditën e tij të shëmtuar të zgjedhjeve të vitit 2001, është dhe inskenimi me metodat e sigurimit të shtetit i ngjarjeve dhe dëshmive të sajuara për të manipuluar opinionin publik.

E vërteta që po dëshmohet çdo ditë në sytë e shqiptarëve në Vorë është se Ilir Meta po zbaton standardet e një organizate kriminale bashkë me taborrin e tij shtetëror e me persona me precedentë penalë, që po ushtrojnë çdo ditë presion, dhunë e terror. E gjithë kjo për interesat korruptive të Ilir Metës që kërkon me çdo kusht të marrë bashkinë e Vorës.

Ja ku kemi këtë foto, ku duket qartë, Bujar Laze nga Skrapari, shefi i komisariatit të Vorës, në shërbim të kandidatit të Ilir Metës. Ky tjetri këtu është edhe drejtori i AKU, i cili ka spikatur me sulmet ndaj biznesit të kandidatit të Partisë Demokratike. Dhe në sfond, janë si gjithnjë banditët e makinave me xhama të zinj, që vijnë lart e poshtë gjithë ditën e gjithë natën në Vorë.

Ilir Meta kërkon ta kthejë Vorën në një inkubator kriminal të manipulimit të zgjedhjeve. Dhe sërish, megjithëse është përqendruar aty me çdo strukturë shtetërore e kriminale, ai e ka humbjen të sigurt. Fitorja e Fiqiri Ismailit dhe e Partisë Demokratike në këtë Bashki është vetëm një javë larg.

Vora dhe banorët e saj nuk do të pranojnë kurrë thundrën e Ilir Metës që kërkon ta kthejë Vorën në çiflig personal për planet e tij korruptive.

Partia Demokratike i bën thirrje prokurorisë të hetojë urgjentisht të gjithë personat e përfshirë në këtë skenar kriminal. Ne kemi bërë kallëzim penal për shefin e komisariatit të Vorës, që është kthyer në mashën e Ilir Metës në këtë zonë, dhe kërkojmë nga prokuroria të lëvizë me shpejtësi për të garantuar ligjin. I kërkojmë përfaqësuesve të OSBE-ODIHR, BE dhe SHBA, prani sa më masive për regjistrimin e këtyre zhvillimeve që janë rekorde të zeza për standardet e zgjedhjeve të lira e të ndershme.

Askush dhe asgjë nuk do t’i ndalë qytetarët e Vorës të ushtrojnë sovranitetin e tyre me votë. Fitorja e Partisë Demokratike dhe e Fiqiri Ismailit është e padiskutueshme.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb