TIRANE- Sot monedha e gjelbër amerikane ka arritur vlerën më të lartë të viteve të fundit në këmbim me Lekun, ndërsa euro shënoi rënie të lehtë të vlerës së saj, në tregun e këmbimit valutor vendas.

Sipas kursit zyrtar të këmbimit të monedhave në Bankën e Shqipërisë një dollar këmbehet me 114.64 lekë nga 100 lekë që këmbehej pak muaj më parë.

Ndërsa euro ka humbur lehtë pikë në këmbim me lekun kundrejt fillimit të javës, duke bërë që një euro të shkëmbehet me 139,89 lekë nga 140,22 lekë që ish para pesë ditëve, ndikuar kjo nga periudha e festave të fund vitit, kur emigrantët sjellin para pranë familjeve. Gjithsesi shprehe ekspertët vlerësimi i dollarit në tregun e këmbimit valutor në Shqipëri shpjegohet me faktin e përmirësimit ekonomik të SHBA-ve çka e ka forcuar këtë monedhë në tregjet ndërkombëtare . Ndikim në vlerësimin e monedhës së gjelbër ka dhënë edhe ulja e çmimeve të naftës që është një përfitim neto për Shtetet e Bashkuara, duke ndihmuar konsumatorët dhe partnerët kryesorë tregtarë.

Ndërkohë zhvlerësimi i euros shpjegohet me faktin e rritjes së fluksit hyrës së euros në treg dhe reflektimit të ecurisë së saj në tregjet ndërkombëtare. Ecuria e valutave euro dhe dollarë në tregun vendas sjell efekte të drejtpërdrejta edhe në financat e qytetarëve pasi Shqipëria është një vend i cili importon pjesën më të madhe të produkteve duke bërë që të ketë rritje të çmimeve përfshirë edhe naftën. Të prekur nga vlerësimi i këtyre monedhave janë edhe ata qytetarë që kanë kredi në dollar dhe në euro.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb