Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka deklaruar se është i sigurt se lufta me Rusinë do të “mbarojë shpejt” sapo Donald Trump të marrë detyrën.
Kam pasur një “shkëmbim konstruktiv” me Trump gjatë një bisede telefonike, tha Zelensky.
Ai nuk tha nëse presidenti i ri amerikan ka bërë ndonjë kërkesë në lidhje me bisedimet e mundshme me Rusinë.
“Nuk kam dëgjuar asgjë nga Trump që do të ishte në kundërshtim me qëndrimin e Ukrainës”, shtoi Zelensky.
Trump ka përsëritur vazhdimisht se përparësia e tij do të jetë përfundimi i luftës dhe shterimi i burimeve amerikane në formën e ndihmës ushtarake për Ukrainën.
“Është e sigurt se lufta do të përfundojë më shpejt me politikat e ekipit që do të drejtojë Shtëpinë e Bardhë tani e tutje. Kjo është qasja e tyre, premtimi i tyre për qytetarët”, tha Zelensky në një intervistë për mediat ukrainase.
Ukraina duhet “të bëjë gjithçka për t’i dhënë fund kësaj lufte vitin e ardhshëm, për t’i dhënë fund asaj me mjete diplomatike,” shtoi ai.
Situata në front është e vështirë sepse trupat ruse po përparojnë, tha ai.
Ai tha se sipas ligjit amerikan, do të mund të takohet me Trump pas inaugurimit të tij në janar.
Trump dhe Zelensky kanë pasur një marrëdhënie të stuhishme prej vitesh. Trump u fajësua në vitin 2019 mbi akuzat se ai i kërkoi Zelenskyt të gjente informacione komprometuese për familjen Biden.
Pavarësisht dallimeve që kanë ekzistuar mes të dyve prej vitesh, Trump përsërit se ai ka një marrëdhënie shumë të mirë me Zelensky.
Kur u takuan në shtator në Nju Jork, Trump tha se ai “mësoi shumë” në atë takim dhe se do ta “zgjidhte” luftën “shumë shpejt”.