Kreu i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani u shpreh sot se institucioni që ai drejton ka hetuar zyrtarë të lartë, si anëtarë të kabinetit qeveritar, deputetë të Kuvendit, gjyqtarë e prokurorë por edhe drejtues të Policisë së Shtetit.

Gjatë fjalës së tij në Komisionin e Monitorimit të AP të Këshillit të Europës në Kuvendin e Shqipërisë me temë “Veprimet gjithëpërfshirëse, luftën ndaj korrupsionit: Politika dhe Instrumente”, Dumani tha se SPAK është e vëmendshme ndaj denoncimeve në media, por edhe akuzat e politikës dhe nis procedimet me iniciativën e vet.

“SPAK ka ushtruar ndjekjen penale ndaj përfaqësuesve të ndryshëm të pushtetit ekzekutiv, anëtarë të Kuvendit, pushtetin gjyqësor, gjyqtarë prokurorë, avokatë apo edhe funksionarë të lartë të Policisë së Shtetit. Kemi ushtruar ndjekje penale për kryetarë dhe ish-kryetarë bashkie. Krahas ndjekjes pale të zyrtarëve të lartë, SPAK ka në fokus edhe luftën kundër krimit të organizuar. Kemi goditur grupe kriminale, organizata kriminale, të njohura në vend, të cilat janë të përfshira në tregjet ndërkombëtare narkotike dhe krimet që ndodhin në Shqipëri.

150 mln euro asete të sekuestruara krimit nga dita e parë e krijimit të SPAK. Kemi rritur hetimin proaktiv duke qenë e vëmendshme dhe duke regjistruar procedime penale me iniciativën e vet, ku SPAK ka marrë informacione për vepra të ndryshme penale nga mediat, shoqëria civile dhe politika, nga denoncimet e bëra prej tyre. Nuk kemi qenë një institucion që rri e pret kallëzimet nga institucioinet e tjera dhe qytetarët por kemi regjistruar vetë procedimet penale për të vënë para përgjegjësisë të kujtdo që shkel ligjin”, tha Dumani.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb