Fshatrat Lugar dhe Grapsh në Bashkinë e Dropullit u përfshin nga zjarret duke bërë që flakët të rrezikonin edhe banesat.  Në përpjekje për të neutralizuar flakët, zjarrfikësi Romeo Sulejmani, nga shërbimi zjarrfikës i Përmetit pësoi djegie të shkallës së dytë në fytyrë dhe pjesë të trupit.

Ai është dërguar në spitalin e Gjirokastrës dhe ndodhet në kujdesin e bluzave të bardha.

Sulejmani ka treguar momentet e përballjes me zjarrin duke theksuar se zjarrfikësit kanë luftuar me flakët për orë të tëra. Në momentin që flakët po rrezikonin banesat, Sulejmani thotë se zjarrfikësit kanë ndërhyrë pavarësisht se flakët ishin të rrezikshme dhe për pasojë ai mbeti i lënduar.

“Kemi luftuar me flakët për orë të tëra, në shumë zona zjarret janë fikur. Kemi shkuar në zonat malore sepse kishim makinë vetëm për zonat malore dhe kemi shpëtuar një kishë. Pastaj jemi rikthyer dhe fikëm vatra të tjera zjarri, pastaj zjarri rrezikonte familjet dhe jemi futur për ta shuar”, tha ai.

Për të parë gjendjen e tij, Drejtori i Përgjithshëm i Zjarrfikësve Arben Cara vizitoi punonjësin e zjarrfikëses në spital. Ai deklaroi se zjarrfikësi do të dërgohet jashtë shtetit për mjekim më të specializuar nëse gjendja e tij shëndetësore përkeqësohet.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb