Kryeministri Edi Rama, në një prononcim të shkurtër për “Financial Times” ka folur sa i takon planeve për Sazanin të Jared Kushner, dhëndrit të ish-presidentit amerikan Donald Trump, në Shqipëri, u shpreh se “vendi ynë ka nevojë për luksin, ashtu si shkretëtira për ujin”.
“Ne kemi nevojë për super luks, ashtu si një shkretëtirë ka nevojë për ujë”, u shpreh ai.
Ai ka bërë edhe dallimin nga projekti që i është propozuar Beogradit, projekt që ka nxitur edhe atje reagime të shumta.
Rama tha se ndryshe nga Serbia, ku plani u propozua nga ish i Dërguari Special të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, në vendin tonë, propozimi u bë nga vetë Kushner. Kujtojmë se në ishullin e Sazanit synohet ndërtimi i një projekti madhor ku përfshihet një resort luksi.
Synimi i kompanisë së dhëndrit të Trump është që ishulli i Sazanit në jug të Shqipërisë të kthehet në një nga atraksionet turistike më të preferuara në Ballkanin Perëndimor. Kompania private “Wffiniti Partners”, planifikon të investojë 1 miliardë dollarë për transformimin e ishullit me ngritjen e një eko-resorti luksoz. Sipas mediave të huaja, vilat do të jenë gjysmë të futura në tokë, me pamje nga bregu i Sazanit dhe ballkon panoramik.
Xhered Kushner nënshkroi një kontratë edhe me qeverinë e Serbisë për ndërtimin e një kompleksi luksoz në ish selinë e Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë serbe, që u shkatërrua në fushatën e bombardimeve të NATO-s në vitin 1999.
(BalkanWeb)